Sot Kosova voton për kryetarë të komunave

Sot Kosova voton për kryetarë të komunave

Ka filluar procesi i votimit për pushtetin lokal në 36 komuna të Kosovës, pas një fushate njëmuajshe, të vlerësuar kryesisht me notë pozitive, pavarësisht se gjatë ditëve të përfundimit të saj pati disa incidente. Procesi i votimit ka filluar qysh në orën shtatë të mëngjesit dhe do të vazhdojë deri në orën 19 të mbrëmjes. Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Nesrine Lushta u tha gazetarëve se «Rreth 98 për qind e vend otimeve janë hapur» Ajo tha se hapja e vendvotimeve është bërë me kohë dhe sipas procedurave të parapara». Në një konferencë shtypi të mbajtur në orën 9 të mëngjesit, ajo pohoi se në pjesën veriore të Kosovës do të dërgohen ekipet mobile për votim. Rreth orës nëntë në vendvotimin në shkollën fillore «Faik Konica», në kryeqytet, votuan kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Krasniqi pas hedhjes së votës u deklaroi gazetarëve se kështu po kryen detyrën si qytetar i Kosovës. «Është obligim për të gjithë ata që kontribuan dhe që ranë për lirinë e Kosovës. Janë zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur dhe sovrane, prandaj është obligim shtesë votimi i sotshëm», ndërkaq kryeministri Hashim Thaçi, zgjedhjet e sotme i cilësoi historike, të parat në shtetin e pavarur, sovran demokratik dhe multietnik. «Të gjithë kemi sakrifikuar për këtë ditë, prandaj është një ngjarje historike dhe do të bëhemi të gjithë pjesë e kësaj historie të re të shtetndërtimit dhe demokracisë së re», ka thënë Thaçi. Monitoruesit dhe vëzhguesit fillimin e procesit të votimit sot e karakterizojnë të qetë dhe pa probleme, pavarësisht se disa vendvotime nuk u hapën me kohë. Shpend Maxhuni nga Policia e Kosovës, në një konferencë për media në Qendrën Mediale të KQZ-së, tha se në qendrat e votimit nuk është shënuar asnjë incident. «Policia e Kosovës është përkujdesur që nga orët e para të mëngjesit që të bëjë sigurinë në tërë territorin e Kosovës. PK ka marrë të gjitha masat e sigurisë edhe në qendrën e numërimit dhe gje më tani nuk ka ndodhur ndonjë incident», ka deklaruar. Mbi 1,5 milion banorë të Kosovës do të mund të votojnë sot në 746 qendra votimi me 2.200 vendvotime. Këto janë zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë dhe të organizuara tërësisht nga autoritetet vendore, që u jep një peshë të veçantë dhe konsiderohet si test i pjekurisë dhe i arritjeve demokratike në shtetin më të ri të botës. Në garë për kryetarë komunash janë 205 kandidatë, kurse për këshilltarë komunash garojnë 6.582 pretendentë, nga 76 subjekte, 22 prej të cilëve janë të komunitetit serb. Kësaj radhe zgjedhjet po zhvillohen edhe në vendbanimet serbe dhe kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, beson se procesi i votimit edhe në këto venbanime do të zhvillohet normalisht. «Vetëm në komunën e Mitrovicës së veriut dhe komunën e Parteshit tani nuk do të ketë zgjedhje, aty do të zhvillohen zgjedhje ndoshta më vonë», thotë Lushta. Zgjedhjet po monitorohen nga një rrjet i gjerë organizatash joqeveritare ndërkombëtare dhe vendore dhe po ashtu po mbikëqyren edhe nga një delegacion i Parlamentit Evropian. Nga asociacioni i OJQ-ve «Demokracia në veprim» procesin e votimit e monitorojnë 2.400 vetë, Rrjeti Evropian i Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve ENEMO ka angazhuar 12 vëzhgues afatgjatë dhe 120 të tjerë afatshkurtër nga shtete anëtare të OSBE-së. Për të siguruar një proces zgjedhor të qetë janë angazhuar mbi pesë mijë forca të rendit. /koha/