Në pyetjen e parashtruar në këtë anketë se “A do ta mbështetni personalisht idenë e Shqipërisë së Madhe”, shumica dërrmuese e të intervistuarve, rreth 95 për qind nga numri i përgjithshëm i të intervistuarve në të tri vendet, thanë se nëse krijohet një “Shqipëri e Madhe”, ajo duhet të përfshijë Shqipërinë, Kosovën dhe një pjesë të Maqedonisë.
Për “Shqipërinë e Madhe”, në bazë të këtyre rezultateve, në Shqipëri, 62.8 për qind janë pro, 29.7 për qind janë kundër, 4.4 janë përgjigjur “nuk e di” dhe 3.1 për qind kanë refuzuar të përgjigjen. Në Kosovë, situata duket më pro bashkimit, pasi 81 për qind e kanë përkrahur këtë ide, 12.6 për qind janë shprehur kundër dhe 2.9 për qind kanë “abstenuar”, ndërkaq 2.6 për qind nuk janë përgjigjur.
Surpriza e këtij sondazhi është Maqedonia, ku janë pyetur nëpërmjet sondazhit rreth 1.000 persona, prej të cilëve 66 për qind ishin maqedonas dhe 25.7 për qind ishin shqiptarë. Por idenë e bashkimit të trojeve shqiptare me Shqipërinë e kanë përkrahur 51.9 për qind e të intervistuarve, çka do të thotë se një pjesë e mirë e maqedonasve janë shprehur pro kësaj ideje. Ndërkaq 35.1 për qind e kanë kundërshtuar, 9.1 për qind janë përgjigjur se nuk e dinë dhe 3.7 për qind kanë refuzuar të japin mendimin e tyre.
Sipas sondazhit, mbështetja është shumë më e ulët për bashkimin e vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës. Vetëm 33.7 për qind e të anketuarve në Shqipëri e kanë aprovuar këtë zgjidhje, ashtu si edhe 29.2 për qind në Kosovë dhe vetëm 7.2 për qind në Maqedoni.