Dy veta janë plagosur nga një përleshje me armë zjarri që ndodhi sonte rreth orës 17 e 30 minuta në qendrën tregtare Çairçanka në Shkup. Sipas dëshmitarëve, të cilët nuk deshën të flasin para kamerës, njëra nga grupet e involvuara, me veturë ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme paralajmëruan se do të japin informacione më konkrete pas shqyrtimit të rastit. Jozyrtarisht bëhet fjalë për përleshje mes dy grupeve kriminale. Nga MPB thonë se kanë njohuri për identitetin e kryerësit dhe se pas tij intensivisht po gjurmohet.
Nga Qendra Klinike njoftuan se një 25 vjeçar i plagosur është në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga atje njoftuan se i plagosur ka plagë në stomak dhe se është i kyçur në aparate. I plagosuri i dytë është i pranuar në Spitalin e qytetit të Shkupit. 33 vjeçari kishte marrë plagë në anën e majtë të kraharorit.
Mjeku kujdestar Jasminka Çabukovska tha se pacienti është në gjendje stabile, pas nxjerrjes së plumbit dhe intervenimeve tjera mjekësore.