Sipas Thaçit, hapja e të gjitha çështjeve mes maqedonasve dhe shqiptarëve, një qeveri partneriteti mes partive shqiptare dhe maqedonase – me mekanizma që garantojnë një program të përbashkët dhe të vetëm qeveritar, një shpërndarje e barabartë e fondeve të buxhetit dhe e fondeve të BE, zgjidhja e çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe, etj., janë disa nga pikat që përmban marrëveshja e PDSH, e cila po përpilohet nga një grup ekspertësh shqiptarë dhe të huaj dhe që pritet të prezantohet në shtator. “Kjo marrëveshje po vjen në kushte paqësore dhe është një propozim për të tashmen dhe të ardhmen. Ofrojmë partneritet mes maqedonasve dhe shqiptarëve dhe nuk dalim nga baza e demokracisë multietnike”, ka theksuar kryetari i PDSH. Thaçi ka dalë kështu me një marrëveshje të re, pas tejkalimit të të gjitha afateve të realizimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit. I pyetur rreth deklaratës së kryeministrit Gruevski për mbajtjen e referendumit për çështjen e emrit, Menduh Thaçi deklaroi se shqiptarët nuk do të votojnë për robërinë e re të tyre.»Sa për referendumin që e thotë Gruevski, duhet pasur parasysh edhe ai, por edhe Akademia maqedonase e Shkencave se, përveç që këtu ka shqiptarë dinjitozë, ka edhe shqiptarë të mençur që i kuptojnë qëllimet e tyre. As në ëndërr nuk do ta shohin që shqiptarët në mënyrë vullnetare të votojnë për robërinë e re të tyre”, ka nënvizuar kryetari i PDSH. Sipas tij, shqiptarë nuk do të votojnë për identitetin maqedonas, i cili do të identifikohet me identitetin shtetëror të këtij shteti. “Mund të bisedojmë për këtë çështje, nëse ata do të pajtohen që të aprovojnë një ligj kushtetues ‘lex specialis’, ku do të garantohet identiteti i shqiptarëve dhe gjuha e shqiptarëve, me të gjitha të drejtat tjera», theksoi kryetari i PDSH, Menduh Thaçi. (INA)