Mosmarrja ftesë për fillimin e bisedimeve për hyrje në Bashkimin Evropian, mund të sjellë probleme të reja në Maqedoni. Xhezai Shaqiri, ish-komandant Hoxha, ka thënë për «Lajm» se politika e Gruevskit vazhdon të nxisë probleme dhe rreziku për trazira të ndryshme është aktual në çdo moment. «Arsye për trazira shqiptarët në Maqedoni kanë pasur shumë herë për të bërë. Por, deri tani kanë bërë jashtëzakonisht durim. Na morën në qafë këto liderët shqiptarë që po marrin pjesë në qeveri. Në politikën e Gruevskit ka pasur shumë arsye për ta filluar punën aty ku kishte mbet nga viti 2001», tha Shaqiri. Sipas tij, mënyra më e mirë për shqiptarët është që të gjendet një alternativë tjetër nga shtresa intelektuale, e mençur dhe analistëve të ndryshëm të pavarur.
Ish-komandant Hoxha ku vazhdon ta mbajë zonë të lirë Tanushën, konsideron se shqiptarët një kohë të gjatë janë peng e politikës së Gruevskit. «Si në kohën e PDSH-së edhe tani të BDI-së shqiptarët ka kohë që janë peng e politikë së Gruevskit. Besoj se kjo do të vazhdojë derisa shqiptarët nuk vetëdijesohen dhe nuk gjejnë alternative tjera që mos të vuajnë nga gabimet e Gruevskit», tha Hoxha.
Ish-deputeti në parlamentin e Maqedonisë ka kritikuar edhe ministrat shqiptarë, të cilët siç i quan ai e mbrojnë politikën e kryeministrit. «Një gjysmë zëri e thotë Rafiz Haliti, se shqiptarët me ose pa maqedonasit do të hyjnë në BE, menjëherë del ministri i Gruevskit, Musa Xhaferi dhe e demanton atë duke e mbrojtur politikën e Gruevskit», tha Shaqiri. Ai ka porositur se shqiptarët nuk duhet të jenë pjesë dhe peng i atyre problemeve që i kanë maqedonasit me të tjerët. «Përkundrazi, Gruevski nuk është aspak mirënjohës me lojalitetin që e kanë treguar shqiptarët në Maqedoni», tha Xhezair Shaqiri.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkimit Demokratik Kombëtar (BDK), Hysni Shaqiri, i cili nga pozita e deputetit në vitin 2001 iu bashkua UÇK-së ka theksuar se shqiptarët po vazhdojnë një politik të gabueshme. «Shqiptarët kanë gabuar që nga momenti kur nuk u bënë faktorë për zgjedhjen e emrit me Greqinë. Tek e fundit sa kanë të drejtë grekët aq kemi të drejtë edhe ne. Tani shqiptarët nuk kanë asnjë far roli dhe kështu siç janë nuk do të mundë të bëjnë asgjë edhe nëse Maqedonia merr përgjigje negative për të hyrë në BE», tha Hysni Shaqiri.
Hoxha: Ahmeti gaboi me UÇK-në që në vitin 2001
«Ali Ahmeti kur ta thotë një gjë duhet ta mbajë fjalën. Ai e di fort mirë se nga koha e viti 2002-2006, është dashur ta rregullojë çështjen e ushtarëve të UÇK-së. Ai nuk është i aftë me e detyruar Gruevskin për asgjë. Për këto arsye Greuvski del dhe e mohon Ahmetin se nuk po punohet asgjë për zgjidhjen e statusit të ish-ushtarëve të UÇK-së. Deri në vitin 2004 është dashur të miratohet Marrëveshja e Ohrit dhe në tre faza të dorëzohet armatimi i UÇK-së. Ai ka bërë gabim, pasi pa konsultimin e asnjërit prej komandantëve e dorëzoi komplet armatimin», tha Xhezair Shaqiri – Hoxha.