Sejdiu uron Berishën për fitoren

Sejdiu uron Berishën për fitoren

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i ka dërguar një letër urimi Sali Berishës, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, për fitoren e koalicionit që ai drejtoi në zgjedhjet e 28 qershorit dhe marrjen e përkrahjes nga qytetarët e Shqipërisë për të qeverisur vendin edhe në mandatin e ardhshëm.Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, Ju përgëzoj për fitoren e 28 qershorit në të cilën “Koalicioni për Ndryshim” mori përkrahjen e qytetarëve të Shqipërisë për të qeverisur vendin Tuaj në mandatin e ardhshëm, thotë në urimin e tij presidenti Sejdiu, duke vlerësuar se procesi i zhvilluar zgjedhor iu dha votuesve shqiptarë mundësinë që të përcaktohen të lirë për përfaqësuesit e tyre.Në urim presidenti Sejdiu shfaq bindjen se Shqipëria e qeverisur nga koalicioni i ndërtuar mbi vlera të demokracisë dhe të zhvillimit, do të vazhdojë me hapa të vendosur që kombi dhe shteti shqiptar të bëhet pjesë e familjes së gjerë evropiane, duke marrë kështu detyrimet dhe përgjegjësitë që i takojnë.Besoj, thotë presidenti Sejdiu, se Shqipëria pas anëtarësimit në NATO, në një kohë fare të shkurtër do të përmbushë kriteret për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, duke realizuar kështu një nga dëshirat dhe ëndrrat më të mëdha të kombit shqiptar.Ju siguroj me këtë rast se, si President i Republikës së Kosovës, do të punoj ngushtë së bashku me Ju për të thelluar bashkëpunimin në interes të të dy vendeve tona si dhe gjithë rajonit. Duke Ju përgëzuar edhe një herë, Ju dëshiroj fat dhe sukses në punën Tuaj për të mirën e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, thuhet në urimin e presidentit Sejdiu.