Rama në fushatë me West Side Family

Rama në fushatë me West Side Family

Edi Rama ka përzgjedhur sërish grupin e njohur të repit shqiptar, West Side Family, për ta shoqëruar në fushatën elektorale. Kryetari i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, asaj socialiste, të martën Rama prezantoi para mediave në selinë partiake grupin West Side Family si bashkërrugëtues në fushatë. I njëjti grup këndoi këngën ‘Tirona’ në zgjedhjet lokale kur Rama rigaroi për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Rama vlerësoi se ky bashkëpunim me grupin do të jetë një thirrje e qartë për gjithë shqiptarët e shqiptaret për ta çuar Shqipërinë drejt një qeverisjeje qytetare. “Është një këngë që është pjesë e asaj fryme që ne tani e ndjejmë dhe e përçojmë. Kënga titullohet ‘Çohu’. Jam bashkë me miqtë e mi dhe me këngëtarët e famshëm, për t’ju prezantuar të gjithëve këngën që do na shoqërojë në udhëtimin nëpër Shqipëri, një rrugëtim ky që do të na çojë drejt një qeverisjeje qytetare”, deklaroi Rama. Nga ana e tjetër, këngëtarët, Flori, Landi dhe Miri, shprehën kënaqësinë që po bashkëpunojnë me, siç theksuan, “kryetarin e ardhshëm të Shqipërisë”. Këngëtarët u shprehën se shpresojnë që kënga ‘Çohu’ të jetë një ogur i mirë, ashtu siç ishte për Tiranën kënga ‘Tirona’. “Ky është bashkëpunimi i radhës. Kënga e Tironës ishte ogur shumë i mirë për gjithë tironcit, e kënga e radhës ogur i mirë për të gjithë shqiptarët”, pohoi Landi. “Është kënaqësi që po mbështesim kryetarin e ardhshëm të Shqipërisë, Edi Ramën. Me ‘Tironën’, e ndryshuam Tiranën, tani duhet ta ndryshojmë Shqipërinë. Ashtu siç thotë dhe vetë kënga: çohu minator, çohu malësor e ke ti në dorë”, shtoi Flori. Ndërkaq Miri apeloi: “Votoni Edi Ramën, është më i miri”. Sipas Edi Ramës, kënga do të zyrtarizohet të enjten mbrëma, në një ceremoni të veçantë. (BalkanWeb)