Qeveria Maqedonase, shpërblen akademinë për enciklopedinë

Qeveria Maqedonase, shpërblen akademinë për enciklopedinë

Punimet për ndërtimin e avllisë së Akademisë nisën para disa ditësh, ndërkaq që po punohet me intensitet të shpejtë. Shtyllat (kolonat) për murrin rrethues janë vendosur dhe së shpejti pritet që të përfundojnë edhe punimet e tjera.
Në vend që të bëhet rikonstruimi i akademisë dhe akademikët të zgjidhen në baza shkencore e jo politike siç janë tani, po bëhet rrethimi i akademisë. Shumë prej akademikëve të AMSHA nuk kanë qenë kurrë profesorë universitarë. I tillë është edhe Bllazhe Ristovski, redaktor i Enciklopedisë. Ndërkaq, pas reagimeve të shumta kryesia e Akademisë mori vendim që të tërheq përkohësisht “Enciklopedinë Maqedonase” nga shitja dhe të bëjë korrigjimin e saj. AMSHA-ja obligoi redaksinë që përpiloi Enciklopedinë në afat sa më të shkurtër të bëjë përmasimin e pjesëve për shqiptarët në Maqedoni, marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase, agresionin e shqiptarëve në Maqedoni, pjesët e shkruara ndaj SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe për trajnimin e UÇK-së, Nënë Terezën dhe pjesë të tjera kontestuese. Nëse vërtetë tërhiqet nga shitja enciklopedia maqedonase, Akademia Maqedonase e shkencave dhe arteve humb edhe 16 milionë denarë. Për tu bindur se Akademia vërtetë do ta tërhiqte këtë vepër joshkencore do të ishte mirë që të shpallej e pavlefshme, ose të gjitha kopjet të digjeshin në sy të të gjithëve. Fakti që botimin e enciklopedisë e përshëndeti kryeministri dhe botimi i saj u bë me buxhet të shtetit do të thotë se aty ka vepruar dora e shtetit dhe se gjithçka ka qenë e planifikuar.
@

16 milionë denarë kushtojnë enciklopeditë e botuara

Burime të sigurta brenda Akademisë bëjnë të ditur për “Lajm” se janë botuar dy mijë kopje të Enciklopedisë maqedonase. Një enciklopedi kushton tetë mijë denarë, ndërsa dy mijë kopje kapin vlerën e 16 milionë denarëve. Sipas këtij burimi akoma nuk është e sigurt se çfarë do të bëhet me këto kopje të enciklopedisë. “Për t’i djegur nuk e besoj, ka shanse që ato të ruhen dhe pas një kohe sërish të nxirren në shitje, gjë që më frikëson”, tha ky burim.