Qeveria në largim e Kosovës me në krye Hashim Thaçin nuk ka planifikuar asnjë aktivitet të organizuar institucional për të shënuar përvjetorin e tretë të shpalljes së pavarësisë.Zëdhënësi i Qeverisë në largim, Memli Krasniqi ka thënë se mungesa e institucioneve të reja ka bërë që ekzekutivi të mos ketë hartuar ndonjë agjendë për hir të trevjetorit të pavarësisë, shkruan Koha.Mirëpo, drejtoresha për Kulturë, Sport dhe Rini në Komunën e Prishtinës, Vlora Dumoshi, ka treguar që udhëheqja e kryeqytetit për shënimin e përvjetorit të tretë të pavarësisë ka ndarë një shumë në vlerë prej shtatë mijë eurosh. Ajo ka bërë me dije se për ta festuar sa më mirë trevjetorin e pavarësisë, Komuna e Prishtinës ka filluar përgatitjet që afro një muaj.“Me rastin e përvjetorit të pavarësisë, Komuna e Prishtinës është duke u përgatitur që një muaj dhe do të organizojë një sërë aktivitetesh kulturo-artistike”, ka thënë Dumoshi.E para për Kulturë, Sport dhe Rini në Komunën e Prishtinës ka nxjerrë në shesh edhe aktivitetet, me të cilat do të karakterizohet 17 shkurti në Prishtinë.“Agjenda fillon nga mëngjesi, ku drejtuesit e Komunës së Prishtinës do të qëndrojnë te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe te varrezat e dëshmorëve, pastaj në orën 11:00 është akademia solemne në Komunën e Prishtinës, ku bëhet inaugurimi i sallës së re, më pas në orën 12:00 është një shfaqje në teatrin “Dodona”, mandej në orën 13:00 është programi artistik për fëmijë që mbahet në sheshin ‘Nëna Terezë’”, ka treguar Dumoshi.“Kurse në mbrëmje në orën 20:00 fillon programi për të rinj në bashkëpunim me Radiotelevizionin e Kosovës, dhe në fund në orën 22:00 do të shkrepen fishekzjarrët për dhjetë minuta pandërprerë”, ka thënë Dumoshi.