Plagoset polici që kishte rrahur hoxhën

Është plagosur me armë zjarri polici Ramiz Salihu, i cili ishte njëri nga aktorët kryesorë në rrahjen e hoxhës së fshatit në Mollopolc të komunës së Shtimes, më 8 shtator të muajit të kaluar. Rasti ka ndodhur natën e së premtes rreth orës 22: 30 në qendër të qytezës së Shtimes, përkatësisht afër ndërtesës së Kuvendit Komunal. Zëdhënësi rajonal i policisë në Ferizaj, Behxhet Krasniqi, i cili e konfirmoi rastin, tha se në vendngjarje kanë dalë policia e stacionit të Shtimes dhe ata nga Njësiti i Hetimeve Rajonale. Sipas zëdhënësit Krasniqi, hetimet e para dhe deklaratat e dëshmitarëve tregojnë se polici Ramiz Salihu është sulmuar nga tre të rinj. Ata fillimisht e kanë sulmuar policin, ndërsa ai ishte në veturë. Tre të rinjtë e kanë goditur veturën e policit me shkopinj druri, ndërsa njëri nga ta pastaj ka shtënë edhe me armë zjarri në të. Policit të plagosur fillimisht i është dhënë ndihma në shtëpinë e shëndetit në Shtime, prej nga edhe është përcjellë për në QKUK të Prishtinës. Zëdhënësi rajonal i policisë thotë se sipas mjekut kujdestar në QKUK, gjendja shëndetësore e policit është jashtë rrezikut për jetë. Policia nuk ka treguar motivet e këtij sulmi, por ka thënë se ky rast mund të jetë një hakmarrje për një problem të mëhershëm. Policia nuk ka treguar as identitetin e personit të plagosur. Për këtë rast ende nuk është arrestuar askush, ndërsa zëdhënësi Krasniqi thotë se për kapjen e personave që kanë sulmuar policin po punojnë intensivisht pjesëtarët e Njësitit të Hetimeve Rajonale. Polici Ramiz Salihu ishte shpallur fajtor edhe nga gjykata për rastin e rrahjes së hoxhës së fshatit. Polici i plagosur ishte me statusin e pjesëtarit të suspenduar që nga 8 shtatori dhe kur është sulmuar ka qenë në rroba civile./gazetaexpress/