PDSH: Mos luani me zjarr, se do të digjeni

PDSH: Mos luani me zjarr, se do të digjeni

Partia Demokratike Shqiptare ka reaguar ashpër ndaj enciklopedisë maqedonase e cila poshtëron popullin dhe kombin shqiptar. Anëtari i Kryesisë Qendrore të PDSH-së, Imer Aliu në një konferencë për shtyp theksoi se Qeveria aktuale tashmë 15 muaj proklamon nacionalizëm primitiv me përmasa shqetësuese. «Paralajmërimet e PDSH-së, tashmë 15 muaj për nacionalizëm primitiv që proklamohet nga ana e kësaj Qeverie, veçmë po merë përmasa shqetësuese duke bërë falsifikim të historisë dhe duke fyer jo vetëm shqiptarët, por edhe amerikanët dhe britanikët. E gjithë kjo është pasojë e servilizmit të puthadorëve të BDI-së dhe Alisë në këtë Qeveri», theksoi Imer Aliu. PDSH publikisht kërkon të sqarohet roli i anëtarëve shqiptarë të kësaj akademie, Alajdin Abazi, Luan Starova dhe Ali Aliu dhe të njëjtit të japin dorëheqje, sepse – sipas kësaj partie – «kjo enciklopedi fashizoide mban vulën e Akademisë maqedonase anëtarë të së cilës janë edhe këta shqiptarë». «Akademikët maqedonas, Gruevski dhe Alia mund të jenë vetëm mijë që tentojnë të gërryejnë historinë e shqiptarëve. I përkujtojmë këta se ne shqiptarët jemi një popull i lashtë që na njeh gjithë bota dhe nuk kontestohemi nga askush. Nga selia e PDSH-së ua dërgojmë një porosi: Mos luani me zjarr, sepse ju garantojmë se do të digjeni», theksoi Aliu. Edhe deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi ka reaguar ashpër ndaj encikopledisë maqedonase, e promovuar ditë më pare nga Akademia e Shkencave dhe kreu shtetëror maqedonas. «Ali Ahmeti personalisht, por edhe Bashkimi Demokratik për Integrim si parti do të padisin ASHAM-in për insinuatat dhe gënjeshtrat e prezantuara në Enciklopedinë. Padia do të jetë jo vetëm për shpifjet për kryetarin Ahmeti për gjoja krime lufte, por edhe për gënjeshtrat dhe pasaktësitë që përmban Enciklopedia për origjinën dhe autoktoninë e shqiptarëve», theksoi Ademi. Ademi thotë se në Enciklopedi ka aq shumë pasaktësi, budallallëqe dhe aq shumë idiotizëm e shovinizëm saqë njeriu duhet patjetër të mendohet thellë se pse ndodh kjo… «Çfarë porosie dëshiron të përcjell ASHAM-i me këtë? Të vihet sot në pikëpyetje origjina dhe autoktonia e shqiptarëve këtë mund ta bëjnë vetëm njerëz të cilët nuk marrin erë nga shkenca, nga historia dhe historiografia nuk e kanë as germën h.», tha Ademi. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se nuk do të rrinë duarkryq dhe indiferent ndaj këtij sulmi primitiv të akademikëve maqedonas, por do t’i ndërmerr të gjitha masat që të korrigjohen gabimet, gënjeshtrat, shtrembërimet dhe budallallëqet e këtij publikimi të shtypur me paratë e popullit. /INA/