Në një fjalim të mbajtur në Universitetin e Kajros, presidenti Obama tha se Amerika dhe islami nuk ishin reciprokisht ekskluzive, por ndanin parime të përbashkëta për drejtësinë, përparimin dhe tolerancën.Zoti Obama tha se ai do të luftonte kundër stereotipave negative për islamin, kurdo që ato të shfaqeshin.I njëjti parim duhet të aplikohej edhe te perceptimi mysliman për Amerikën, shtoi zoti Obama.“Kam ardhur këtu në Kajro për të kërkuar një fillim të ri ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe myslimanëve në mbarë botën, të bazuar mbi interesin dhe respektin e ndërsjellë dhe mbi të vërtetën se Amerika dhe islami nuk përjashtohen mes vete dhe nuk duhet të jenë në garë. Përkundrazi, ato mbulojnë njëra-tjetrën dhe ndajnë parimet e njëjta, parimet e drejtësisë dhe progresit, të tolerancës dhe dinjitetit të të gjithë njerëzve”, tha Obama.Ai tha se asnjë sistem qeverie nuk duhej të imponohej mbi një vend apo tjetrin, por qeveritë duhet të reflektonin vullnetin e popullit dhe të ishin transparente.Presidenti Obama tha se Amerika nuk ishte në luftë me islamin, por do të luftonte ekstremistët e dhunshëm që përbënin kërcënim për sigurinë.“Përderisa marrëdhëniet tona të përkufizohen nga dallimet tona, ne do t’i fuqizojmë ata që kërkojnë urrejtje në vend të paqes, ata që promovojnë konflikt në vend të bashkëpunimit. Ky rreth i mosdakordimeve ndërmjet amerikanëve dhe myslimanëve duhet të marrë fund”, tha presidenti amerikan.Ai tha se forcat amerikane kishin shkuar në Afganistan nga nevoja, pas sulmeve të 11 Shtatorit, për të ndjekur Al- Qaedan dhe talebanët.Megjithatë, zoti Obama e përshkroi pushtimin e Irakut të drejtuar nga SHBA-ja si një luftë që ishte zgjedhur.“Mos gaboni të mendoni se ne duam t’i mbajmë trupat tona në Afganistan. Ne nuk synojmë baza ushtarake atje. Për Amerikën është agoni kur humb djemtë dhe vajzat e reja. Me dëshirë do të kthenim çdo ushtar në shtëpi, nëse do të ishim të bindur se ekstremistët e dhunshëm në Afganistan dhe tash në Pakistan, nuk do të vritnin amerikanë sa të munden. Por, kjo ende nuk ka ndodhur”, tha Obama.Presidenti Obama gjithashtu tha se SHBA-ja ka nxjerrë mësime nga lufta në Irak.“Megjithëse besoj se populli irakian është shumë më mirë pa tiraninë e Sadam Huseinit, unë gjithashtu besoj se ngjarjet në Irak e përkujtuan Amerikën mbi nevojën e përdorimit të diplomacisë dhe ndërtimit të konsensusit ndërkombëtar për t’i zgjidhur problemet kudo që është e mundur”, tha presidenti Obama.“Njerëzit e botës mund të jetojnë në paqe. Ne e dimë se ky është vizioni i Zotit. Tash, kjo duhet të jetë detyra jonë këtu në Tokë”, tha Obama.Armët bërthamorePresidenti Obama tha se e vetmja zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez, ishte që aspiratat e të dyja palëve të realizoheshin përmes dy shteteve që do të jetonin në paqe dhe siguri.“Izraelitët duhet ta pranojnë se ashtu siç nuk mund të mohohet e drejta e Izraelit për ekzistencë, nuk mund të mohohet as e drejta e Palestinës. Shtetet e Bashkuara nuk e pranojnë legjitimitetin e vendbanimeve të Izraelit. Është koha të ndalen këto ndërtime”, tha Obama.Presidenti Obama më pas iu kthye çështjes së armëve bërthamore dhe tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit.Ai tha se Irani e kishte karakterizuar veten për vite të tëra, pjesërisht prej kundërshtimit ndaj Amerikës.Tani pyetja shtrohej se çfarë të ardhme kërkonte të ndërtonte Irani?Presidenti tha se gara e armëve bërthamore në Lindjen e Mesme duhej të parandalohej.Çdo vend, duke përfshirë edhe Iranin, duhet të ketë të drejtën për energji bërthamore, nëse respektonte traktatin e mospërhapjes bërthamore.Duke folur për të drejtat e grave, presidenti Obama tha se hidhte poshtë pikëpamjen që kanë disa në Perëndim, se ato që mbulojnë kokën me shami janë më pak të barabarta.Por ai tha se besonte që një gruaje që i mohohej arsimimi, i mohohej edhe barazia.Vendet me gra të arsimuara mirë, kanë më shumë shanse të jenë më të begata.Zhvillimi ekonomikZoti Obama tha se i respektonte gratë që zgjidhnin role më tradicionale, por kjo duhet të ishte zgjedhja e tyre.Presidenti tha se SHBA-ja do të ndihmonte çdo vend me shumicë myslimane që të zgjeronte arsimin për vajza.Zoti Obama foli edhe për mundësitë dhe zhvillimin ekonomik.Ai tha se arsimi dhe inovacioni do të ishin monedha e shekullit XXI dhe shumë komunitete myslimane vuanin nga investimet e pakta në këta sektorë.Teksa Amerika ishte fokusuar në gazin dhe naftën e Lindjes së Mesme në të shkuarën, tani kërkonte një angazhim më të gjerë.Presidenti tha se programet e shkëmbimit, mësimi në internet, financimi dhe partneriteti mes vendeve SHBA-së dhe vendeve me shumicë myslimane duhet të zgjerohej.Duke përmbledhur thekset e fjalimit të tij në Kajro, presidenti Obama tha se çështjet që përmendi nuk do të ishin të lehta për t’u adresuar.Shumë njerëz, myslimanë dhe jomyslimanë, vinin në pikëpyetje nëse ishte i mundur një fillim i ri, pasi ka kaq shumë frikë dhe mosbesim.Por zoti Obama tha se nëse zgjedhim të jemi të lidhur pas së shkuarës, nuk mund të ecim kurrë përpara.Ai këmbënguli se njerëzimi ka fuqi ta bëjë botën që kërkon, por vetëm nëse ka kurajën për një fillim të ri.Në fund të fjalimit, presidenti amerikan, Barack Obama u përcoll me ovacione nga të pranishmit në Universitetin e Kajros.Takohen Obama dhe MubarakPresidenti amerikan, Barack Obama u takua me presidentin egjiptian, Hosni Mubarak.“Ne diskutuam situatën me Izraelin dhe palestinezët. Biseduam si të ecim përpara në mënyrë konstruktive për paqen dhe prosperitetin e të gjithë njerëzve në rajon”, tha presidenti amerikan.“Unë i theksova presidentit Mubarak se Amerika është e përkushtuar të punojë me partneritet me vendet e rajonit, në mënyrë që të gjithë njerëzit të mund t’i plotësojnë aspiratat e veta”, tha Obama.Hamas: Obama është ndrysheLëvizja islamike e Hamasit ka reaguar pas fjalimit të presidentit amerikan, Barack Obama në Universitetin e Kajros.Zëdhënësi i saj ka deklaruar se kreu aktual i Shtëpisë së Bardhë është ndryshe nga paraardhësi i tij, Bush, por ka theksuar se ka gjëra që duhen sqaruar.“Fjalimi i Obamës përmban kontradikta të shumta, por reflekton një ndryshim rrënjësor”, ka deklaruar zëdhënësi Fawzi Barhoum.Obama ka përmirësuar ndjeshëm imazhin e SHBA-së në botëPresidenti amerikan, Obama ka përmirësuar ndjeshëm imazhin e vendit të tij jashtë Amerikës, që prej zgjedhjes së tij në detyrën e presidentit. Gjatë një sondazhi të zhvilluar në 22 vende, 42 % e të pyeturve kanë një vlerësim pozitiv për SHBA-në. Sondazhi i organizuar nga Ipsos/Reuters tregoi se edhe Turqia, vendi më i madh mysliman i trajtuar nga ky sondazh, 49 % e të pyeturve kishin mendim pozitiv rreth SHBA-së. Sondazhi u organizua gjatë datave 14 prill-7 maj.