Më 16 maj 2009 bëhen dhjetë vjet që nuk dihet asgjë për fatin e Mr. Ukshin Hotit, të këtij kolosi të madh të mendimit politikë shqiptar. Dhjetë vjet më parë (16 maj 1999) Hoti, derisa ishte duke vuajtur dënimin në Burgun e Dubravës, papritmas nga autoritetet e burgut merrë vendimin “Reshenjen” nr. 24/2241/05 të nënshkruar nga drejtori i burgut të Dubravës, Aleksandër Rakoçeviq. Në këtë vendim thuhet se “….i denuari Ukshin Hoti ….lëshohet me kusht…” nga burgu, pas mbajtjes së dënimit prej pesë vjetësh, që ia kishte shqiptuar gjykata serbe në Prizren në shtator të vitit 1994. Pas përfundimit të luftës, shokët e burgut që ishin ndarë për herë të fundit me Mr. Ukshin Hotin, kanë thënë se ishte ditë e diele (një ditë e pazakonshme për lirim nga burgu) kur baca Ukë (kështu e thërrisnin ata) ndërmjet orës 10 – 11 të paradites, i shoqëruar nga tre punëtorë të sigurimit serb, është nxjerrë nga ambientet e brendshme të burgut të Dubravës. Dhe pas këtij momenti, sot e atë ditë, nuk dihet asgjë për vendndodhjen e këtij intelektuali, politologu e atdhetari të shquar. • KU ËSHTË UKSHIN HOTI?! – kanë pyetur për dhjetë vjet rresht shqiptarët! • A ËSHTË GJALLË APO I VDEKUR UKSHIN HOTI?! – është kjo një tjetër pyetje që e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë shqiptarët! Por, për fat të keq deri më sot nuk kemi përgjigje të sakt, ndonëse ka shumë përgjigje spekultative që përfliten koluareve nga gojkëqinjtë ! * * * Dihet mirëfilli se gjatë luftës në Kosovë (1998 – 1999), forcat militare dhe paramilitare serbe kanë vrarë e masakruar në format më mizore, rreth 15 mijë shqiptarë, ku 90% prej tyre ishin civilë të pa armatosur. Në këtë periudhë kohore mësohet se janë rrëmbyer me dhunë mbi 3 mijë shqiptarë, ndërsa janë përdhunuar afër 20 mijë femra shqiptare. Për dhjetë vjet rresht, mijëra familje shqiptare kanë pritur dhe edhe mëtutje vazhdojnë të presin me shpres e ankth, një lajm të “mirë” për bijtë e tyre të zhdukur, nga forcat kriminale të varrmihësit Millosheviç. Dhe për fat të keq, shumica e të zhdukurve, pas luftës, janë gjetur nëpër varrezat masive në Batajnicë e në vende tjera të Serbisë, ndërkohë që akoma nuk dihet për fatin e rreth 2000 shqiptarëve të tjerë. * * * Në qershor të vitit 1999 intelektuali dhe studiuesi i njohur Moikom Zeqo, nëpërmjet një apeli për opinionin tonë publik si dhe atë ndërkombëtar “për kancelaritë diplomatike të botës”, kërkoi zbardhjen e fatit të Mr. Ukshin Hotit, që, – siç shprehet Zeqo: “të mos e pësojë dhe të mos zhduket pa nam e nishan.” Moikomi në këtë apel, ndër të tjera ka shkruar (po citoi): “Politikisht shqiptarët e Kosovës merren shpesh në mënyrë të paprinciptë me njëri – tjetrin, grinden, shahen dhe përçahen, në një kohë që duhet vetëm të bashkohen. Këta politikanë shëtisin nëpër botë, japin intervista dhe i japin shumë rëndësi kultit të vetvetes dhe protagonizmit vetjak. Çuditërisht, këta politikanë nuk flasin, ose harrojnë të flasin, për Ukshin Hotin. Po Ukshin Hoti nuk i përket harresës. Ai është në vetë thelbin e kujtesës së kombit. Ukshin Hoti nuk mund të vdesë dhe në të vërtetë nuk ka për të vdekur kurrë. Qenia e tij intelektuale është e pashlyeshme dhe është prezent kudo. Kosova dhe kombi shqiptar kanë nevojë urgjente për mendimin e Ukshin Hotit… Ukshin Hoti sakrifikoi gjithçka dhe askush nuk ka të drejtë të jetë mosmirënjohës, të mos ketë respekt apo të mos përkulet me nderim përpara figurës së tij.” – thekson studiuesi Zeqo. Që nga qershori 1999, kur Moikom Zeqo e bëri këtë apel, politikanët e Kosovës nuk kanë ndryshuar asgjë në mendësinë e tyre politike. Dhe çuditërisht, edhe pas dhjetë vjetëve, kjo klasë politikanësh skajshmërisht të papërgjegjshëm, nuk folën (jo se harruan të flasin) për Ukshin Hotin. Kjo heshtje e këtij tarafi politik e institucional të Kosovës është më shumë se indiferentizëm, dhe z.Zeqo jo rastësisht në apelin e tij për Ukshin Hotin thekson, se: ”indiferenca është kriminale. Indiferenca nuk është gjë tjetër veçse pajtim me torturuesit dhe ndoshta me vrasësit e tij”. (!!!) * * * Pas përfundimit të luftës, familja e Mr. Ukshin Hotit, veçanërisht motra e tij Myrvetja ka trokitur në të gjitha dyert e institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhe ka kërkuar zëshëm ndriçimin e fatit të tij. Dhe në çdo bisedë, lidershipi politik e shtetëror shqiptarë, motrës Myrvete i ka premtuar, se çështja e Ukshin Hotit do të ngritet në të gjitha takimet me faktorët relevant ndërkombëtar, për ta detyruar Serbinë të zbardhë fatin e Ukshinit. Mirëpo, siç ka rezultuar deri më tani lidershipi shqiptar s’ka bërë asgjë në këtë drejtim! Prandaj, duket se edhe në këtë dhjetë vjetorë, shqiptarët do të vazhdojnë të pyesin: KU ËSHTË UKSHIN HOTI?! A ËSHTË GJALLË APO I VDEKUR UKSHIN HOTI?!…