Metrat e fundit

Metrat e fundit

“Janë metrat e fundit që po gërmohen në tunel, mirëpo ende nuk është parë drita nga ana tjetër”, ka deklaruar Ruçi për “Express”.Për hapjen e tunelit po punohet paralelisht në dy drejtime. Një pjesë e makinerive depërtojnë nga Kalimashi drejt Thirrës, kurse tjerat në drejtim të kundërt. Sipas Ruçit, janë paraqitur vështirësi në metrat e fundit, pasi në të dyja anët makineritë po shpërthejnë shkëmbin, prandaj, në këtë pjesë duhet përforcuar tunelin. “Të dielën përfundojnë të gjitha gërmimet në tunel”, thotë Ruçi.Ndërkaq, mediat në Shqipëri kanë raportuar të hënën se në orën 6 të mëngjesit janë bashkuar dy anët e njërit tunel në Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morin.Ato citojnë një punëtor të kompanisë që po kryen punimet. Ata thonë se të dielën e kaluar është futur sonda e makinës shpuese dhe ajo ka kaluar në anën tjetër.Sipas këtyre medieve, tani në tunel ka mbetur vetëm pastrimi i shkëmbinjve që kanë rënë nga minimi.Konzorciumi amerikano-turk, “Bechtel & Enka” në 61 kilometra të autostradës, sa ka në përgjegjësi, përkatësisht segmentin Fushë –Dukagjin – Rrëshen, ka përfunduar 24 ura dhe ka asfaltuar pothuajse pjesën më të madhe të rrugës. Punimet më të mëdha janë duke u kryer në Kalimash, ku është tuneli. Me përfundimin e tij, lëshohet në qarkullim njëra trase e autostradës 170-kilometërshe. Përurimi zyrtar i kësaj traseje pritet të bëhet më 27 qershor, derisa i tërë projekti do të përfundojë pas një viti.