Kompanitë prodhuese kanë filluar të pajisen me një certifikatë, përkatësisht me një standard të ri , i quajtur “Hallall”. “Standardi Hallall”, lëshohet vetëm nga kryemami i vendit ku prodhohen produktet, kryesisht ato ushqimore, me të cilin garantohet se në përbërjen e tyre nuk ka asgjë që është haram. Madje, në një të përditshme kosovare, në formë të lajmit, në faqet e marketingut është njoftimi me standard të këtillë në Serbi është pajisur edhe fabrika e vajit “Diamant”, i cili është shumë i pranishëm në Kosovë, apo në vendet e tjetra me popullatë të konfesionit islamik. Këtë certifikatë ia ka dhënë kryemami i Serbisë. Në Kosovë nuk ka agjencia për këtë standard. Mirëpo, Burim Piraj, pronari i kompanisë për përpunimin e mishit, “Meka” tregon se gjithçka që prodhohet këtu është njëqind për qind hallall. Madje edhe motoja e kësaj kompanie është “100 për qind hallall”. Këtë e kanë bërë që qytetarëve t’u tregojnë se cila është cilësia e tyre. “Nuk është marketing, por është standard që ne e përdorim”, thotë Piraj. Sipas tij, standardet minimale që duhet aplikuar një ndërmarrje hallall, si ajo e mishit, është se ai që i ther kafshët duhet të jetë mysliman dhe t’iu përmbahet riteve islame. Ahmet Sadriu, përgjegjës për media në Bashkësinë Islame të Kosovës, shpjegoi se standardi “Hallall” jepet vetëm kur bashkësia islame e vendit përkatës, e cila garanton se në atë produkt s`ka përmbajtje derri. “Me sa di unë, ky është një standard që jepet nga qendrat islamike në vendet e caktuara. Me të garantohet se në produkte nuk ka asnjë përmbajtje të derrit”, tha Sadriu. Ai thotë se nuk ka dëgjuar që në Kosovë po aplikohet, apo kërkohet ky standard. Sipas tij, kjo është bërë për të hequr dilemat për cilësinë dhe përmbajtjen e produkteve. Në anën tjetër, Bujar Istogu, zëvendësshef i Agjencisë për standardizim në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se standardi “Hallall” nuk është i paraparë, e as i njohur për këtë agjenci. Për të as që ka dëgjuar ndonjëherë dhe ai nuk kërkohet për mallrat që qarkullojnë në tregun kosovar. “Nuk e dimë se çfarë qenka ky standard. Ai nuk është i paraparë as në terminologjinë tonë të standardeve, madje as si kriter për produktet”, tha Istogu. Edhe më herët, në shumë produkte në treg, ka pasur mbishkrime si “e garantuar pa mish derri”. Tash, kanë filluar të aplikojnë standardin “Hallall”, për të hequr dilemat se këto gjëra nuk kanë përmbajtje të derrit, apo kafshëve të tjera të padëshiruara për komunitetit fetar islam. “Hallall”, në tërë botën Përveç standardeve të ushqimit të caktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në Kanada, Malajzi, e në shumë vende të tjera, ekzistojnë agjenci shtetërore për standardizim të produkteve, i emëruar si “Standardi Hallall”. Në Evropë, agjenci të tilla të pavarura, të cilat në baza vullnetare i certifikojnë prodhuesit e ushqimit. Kryesisht produktet e konsumit të gjerë në bazë të standardeve që burojnë nga jurisprudenca islame për ushqimet e lejuara.Sipas të dhënave nga enciklopedia elektronike “Wikipedia”, tregu i produkteve hallall në tërë botën “peshon” 580 bilionë dollarë.Standardeve të tilla u përmbahen 70 për qind e kompanive me pronarë myslimanë, ndërkaq, për shkak të kërkesës së konsumatorëve, edhe bizneset me pronarë të konfesioneve të tjera janë pajisur me certifikatë të këtij lloji.Kompania “McDonalds”, në dyqanet e saj në SHBA ofron hamburger me mish pule hallall. Ky produkt, sipas të dhënave në ueb faqen zyrtare të kësaj kompanie është shumë i kërkuar nga konsumatorët.Ndërkaq, në Evropë, listës së produkteve me këtë standard u prijnë qebaptoret dhe prodhuesit e qumështit. Së fundi, agjenci për certifikimin e produkteve hallall, janë themeluar edhe në Kroaci, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë. Themelimi i agjencisë për standardizimin e produkteve hallall, në çdo vend kërkon edhe miratimin e udhëheqësve të komunitetit mysliman.Komuniteti mysliman në Serbi e ka themeluar agjencinë në vitin 2005, ashtu që kompanive të këtij komuniteti t’iu mundësojë tregti më të lehtë me vendet e Lindjes, përkatësisht të botës islame. Të gjitha kompanitë që kërkojnë të certifikohen me këtë standard i nënshtrohen një kontrolli të kësaj agjencie në tërë procesin e punës. Këtu përfshihet edhe trajnimi i punëtorëve. Në rast se kompania është përpunuese e mishit, një mbikëqyrës nga agjencia e monitoron tërë procesin, që nga therja e kafshëve, e deri në produktin final.