Marrëveshje mes Kosovës dhe Norvegjisë për riatdhesim

Kjo është marrëveshja e  tetë e nënshkruar për ripranimin e shtetasve kosovarë, të cilët nuk e kanë të rregulluar statusin legal të qëndrimit në vendet e caktuara.Me këtë rast, ministri Rexhepi tha se ky është një moment i rëndësishëm dhe një besim i ndërsjellë në mes të dy shteteve.“E nënshkruam marrëveshjen për ripranim me Qeverinë e Norvegjisë, me ambasadorin e Norvegjisë me autorizim nga ministria përkatëse. Natyrisht, që ne presim që Norvegjia, duke i ditur kapacitetet e vogla absorbuese tonat, nuk do të kthejë një numër të madh pa bashkëpunim me neve”, tha ministri Rexhepi.Po ashtu, ministri Rexhepi tha se kjo marrëveshje është një bazë e mirë që të mendohet edhe në lidhje me punësimin sezonal të punëtorëve kosovarë, duke e ditur se niveli i papunësisë në vend është mjaft i lartë. “Kjo bazë legale, e cila nuk lejon qëndrim ilegal të qytetarëve tonë mund të krijojë parakushte dhe premisa të mira që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, eventualisht me homologët e tyre, të nënshkruajnë edhe ndonjë marrëveshje në të ardhmen, për punë sezonale që do të ishte një gjë shumë e mirë”, shtoi ministri Rexhepi.Ndërsa ambasadori norvegjez, z. Sverre Johan Kvale tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një pikë e rëndësishme e lidhjes në mes Norvegjisë dhe Kosovës.“Kjo është marrëveshja e parë që shteti im e nënshkruan me Kosovën. Është e rëndësishme që kjo marrëveshje rregullon lidhjen në mes të dy shteteve tona. Kjo do  të lehtësojë që qytetarët e Kosovës të vijnë në Norvegji për punë sezonale. Pasi ata nuk duhet të hyjnë ilegalisht”, u shpreh ai.Marrëveshjes për Riatdhesim në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Norvegjisë është nënshkruar në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme.