LORNA NË KOSOVË

LORNA NË KOSOVË

Premiera kosovare e filmit “Heshtja e Lornës” është dhënë mbrëmë në kinemanë “ABC”. Në këtë rast ishin të pranishëm regjisorët Jean – Pierre dhe Luc Dardenne, aktorët Arta Dobroshi, Alban Ukaj, si dhe personalitete nga sfera politike e vendit, regjisorë, aktorë, këngëtarë dhe personalitete të tjera. Përpara ekranizimit të filmit në kinemanë “ABC”, ekipi i filmit është ngjitur në skenë për t’i përshëndetur të pranishmit. Pas fillimit të shfaqjes së filmit “Heshtja e Lornës”, ekipi i tij është larguar nga salla. Vëllezërit Dardenne dhe Alban Ukaj në pjesën tjetër të kinemasë shikonin futboll, ndërsa Arta Dobroshi bisedonte me miq. “Jemi shumë të lumtur që kemi ardhur te Arta dhe Albani. Ata kishin ardhur te ne për të xhiruar filmin, ndërsa ne erdhëm për ta treguar atë”, kështu janë shprehur vëllezërit Jean Pierre dhe Luc Dardenne, në një intervistë për “Express Live”. Ata kanë thënë se me të arritur në Kosovë kanë ndier një mikpritje të madhe. Arta Dobroshi dhe Alban Ukaj janë shprehur të kënaqur që më në fund filmi po shfaqet, siç u shprehen ata, “në shtëpinë e tyre”. “Heshtja e Lornës” që nga sot është pjesë e rregullt e repertorit të kinemasë “ABC”. Filmi shfaqet në pesë terminë, në orën 14:00, 16:00, 18:00, 20:00 dhe 22:00. Hyrja kushton tri euro.