Ky është bashkim

Ky është bashkim

«…Të dy bashkë, u betuan. Kombin shqiptar kurrë më nuk do ta ndajë historia. Por, as malet …»

 
Foto: Fisnik Dobreci

Bjeshkët që ndanin Kosovën me Shqipërinë, më në fund, u shembën. Tuneli i Kalimashit u hap, ndërsa Tirana dhe Prishtina janë afruar. Ato tashmë janë larg vetëm tri orë.Në mesin e tunelit të gjatë 5.5 kilometra, në orën 12, aty ku nis një histori e re për shqiptarët, Kryeministrat Sali Berisha dhe Hashim Thaçi shtrënguan duart dhe u përqafuan me emocion.Nga jugu, Kryeministri i Shqipërisë simbolikisht rrëzoi murin e improvizuar. Ky mur, përveç pjesës infrastrukturore, më tepër në këtë ceremoni, paraqiste ndjenjën kombëtare. Ai u rrëzua dhe simbolizonte bashkimin e kombit. Në pjesën veriore, priste Kryeministri i Kosovës.Siç thanë më vonë, në fjalimet e tyre, ata takoheshin pas një pritjeje të gjatë.“Urime dhe gëzuar”, i thanë të dy Kryeministrat njëri-tjetrit. Të dy bashkë, u betuan. Kombin shqiptar kurrë më nuk do ta ndajë historia. Por, as malet. Nga kjo ditë, Tirana dhe Prishtina nuk do të jenë larg 330 kilometra. Me hapjen e këtij tuneli, në këtë zonë të thellë malore e deri në bregdet, distanca ndërmjet dy kryeqyteteve është shkurtuar për 65 kilometra. Atmosfera Në mesin e tunelit, nën bjeshkën e Kalimashit, shtrëngoheshin duart e dy Kryeministrave dhe dy delegacioneve.Jashtë, atmosfera ngazëlluese arriti kulmin. Pankarta e madhe me mbishkrimin “Përgjithmonë” dhe flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës ishin vendosur ndërmjet dy tuneleve. Edhe pse në mesin e atyre bjeshkëve të thepisura, rrallë shihet ndonjë shtëpi, para tunelit u mblodhën shumë njerëz. Vallja nuk ndalej, ashtu si edhe brohoritjet, për Sali Berishën. Në mesin e një grupi burrash, kërcente edhe Sebije Nokshiqi (46). Ajo përcillte tingujt e thekshëm në mes të bjeshkëve, që dilnin nga daullja dhe surla. Gruaja nga Tropoja, e cila pas viteve ’90 jeton në Tiranë, së bashku me vëllanë e saj, kishte bërë dhjetëra kilometra rrugë të vështirë, deri në Kalimash.“Jam shumë e gëzuar. Kjo është hera e fundit që do të heqim për të ardhur deri këtu. Tash e tutje kemi autostradën”, thotë Sebija. Gëzimin e saj dhe familjes për këtë vepër madhore, Sebija thotë se nuk do ta lë me kaq. Ajo mendon se duhet festuar edhe më tej kjo vepër madhështore.“Ditën kur të lëshohet rruga për qarkullim, unë prapë do të vij nga Tirana, por me veshje kombëtare”, thotë ajo.“Ne jemi të pandarë”.Ëndrra shqiptare Me një këngë dedikuar rrugëve dhe shkurtimit të largësive që sjell ajo, në foltore u shfaqën Kryeministrat e dy shteteve.Në fjalimin e tij të mbushur me emocione, Kryeministri Sali Berisha, hapjen e tunelit në Kalimash dhe rrugën në tërësi, e quajti realizim të njërës prej ëndrrave më të bukura.“Përjetuam shembjen jo të një muri, por të një mali. Përjetuam shembjen jo të një muri, por të pamundësisë. Sot, bashkë me Kryeministrin e Kosovës, inauguruam tunelin e Kalimashit, një nga kryeveprat në fushën e ndërtimit në Europë dhe me gjerë», tha Berisha“Ky tunel, para së gjithash, është tuneli i bashkimit të kombit”, u shpreh ai.”Sot vendosëm se nuk ka male, se nuk ka pengesa, se nuk ka asgjë që mund ta ndajë jo vetëm shpirtërisht, por as fizikisht këtë komb”, tha Kryeministri i Shqipërisë.Kjo rrugë, tha ai, është e hapur për të gjitha kombet e Ballkanit që duan të arrijnë më shpejt në det. “Ky tunel bashkon edhe të gjitha kombet e rajonit, maqedonas, serb apo bullgar”, tha Kryeministri i Shqipërisë.Sa i përket anës financiare, Berisha tha se tuneli është shumë i kushtueshëm, por për një komb dhe kohë humbur siç janë shqiptarët, ka vlerë të madhe.“Ky tunel kushton shumë më pak se sa koha e kalimtarëve në një vijë të vetme. Kjo është mrekullia shqiptare”.Para se t’ia jepte fjalën Kryeministrit të Kosovës, Sali Berisha ua bëri edhe një premtim tjetër shqiptarëve të shtetit të tij.“Pas këtij korridori, Qeveria ime nuk do të lërë mal pa shembur, në mënyrë që shqiptarëve t’ua jap Shqipërinë në pëllëmbë të dorës”.Më afër se kurrëMesazhet e urimit nga Kosova për Shqipërinë, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, filluan me brohoritjet – “Jemi një”.“Kjo është një ditë e madhe për shqiptarët kudo që janë, dhe për mua personalisht”, tha Kryeministri Thaçi.Ai solli kujtime të kohës jo të largët nga jeta e tij. “Kjo ditë dhe ky vend më kujton kohën kur unë dhe bashkëluftëtarët ecnim këmbë këtyre maleve në borë dhe acar, për të sjellë atë që sot gëzojmë”.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përgëzuar Kryeministrin Sali Berisha për këtë punë që ai e quajti të mrekullueshme.“Sot, Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë më parë pranë njëra-tjetrës dhe do të afrohemi edhe më tej. Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë pranë njëra-tjetrës dhe kështu do të jemi përgjithmonë. Kemi qenë të ndarë me shekujt, por kurrë nuk kemi qenë larg njëri-tjetrit… Na ka ndare historia, padrejtësia, na ndanin bjeshkët dhe malet. Sot, të gjitha këto pengesa janë zëvendësuar më punë, vullnet, ideal, vizion. Kjo është rruga e bashkimit”, ka thënë Kryeministri Thaçi.Kryeministri Hashim Thaçi bëri edhe premtimin e rëndësishëm, i cili, sipas tij, do të realizohet shpejt. “Zotohem se kjo rrugë nuk do të përfundojë këtu. Ajo do të vazhdojë së shpejti nga Vërmica në Prizren dhe drejt Prishtinës”.Sipas ekspertëve të ndryshëm, rruga e re Durrës – Prishtinë shkurton në mënyrë të ndjeshme edhe distancat e transportit në krahasim me rrugët ekzistuese dhe krijon kushtet, për një lëvizje me shpejtësi 80 deri 100 km/orë. Në 30 vitet e fundit, sfida më e madhe e infrastrukturës, Durrës-Kukës pritet të përfundojë një ditë para zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, më 27 qershor. Parashihet që deri në këtë datë të shfrytëzohet vetëm njëra anë e rrugës pas hapjes së tunelit.Siguria Masat e sigurisë për këtë ceremoni një-orësh në Kalimash kanë qenë shumë të forta. Forca të mëdha të sigurisë kanë mbikëqyrur gjatë tërë kohës vendin e ngjarjes.Përveç vendit ku është mbajtur ceremonia, në bjeshkët përreth janë vërejtur forca të mëdha të cilët kanë patrulluar nga largësia.Që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe të sigurt, shteti shqiptar, përveç atyre në uniforma, kishte angazhuar edhe pjesëtarë të sigurimit.Pavarësisht kontrolleve të forta në fillim, për shkak të ekzaltimit të masës nga paraqitja e Kryeministrit Sali Berisha, gjithçka thuajse u përmbys në këtë drejtim. Njerëzit filluan të shtyhen dhe pjesëtarët e sigurimit mezi arritjen të mbajnë situatën nën kontroll.ProtokolliProtokollet zyrtare të të dyja vendeve ishin marrë vesh më parë që brenda në tunel, do të futeshin vetëm nga njëzet persona prej secilës palë.Por, edhe në këtë drejtim, për shkak të numrit të madh të zyrtarëve nga të dy shtetet, ky numër nuk u respektua.Madje, brenda në tunel shkuan rreth 30 persona nga të dyja anët, edhe pse numri i mediave prezente në atë hapje të fundit të tunelit, ishte jashtëzakonisht simbolik.Nga pala e Kosovës, përveç Kryeministrit Hashim Thaçi, morën pjesë edhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, zëvendës Kryeministri Hajredin Kuqi, dhe ministra të tjerë.Nga pala e Shqipërisë, në delegacionin e udhëhequr nga Kryeministri Sali Berisha, morën pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministra dhe zyrtarët tjerë.Nga mysafirët e ftuar në këtë ceremoni morën pjesë edhe ish shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovës gjatë vitit 1998-99, ambasadori Wiliam Walker, gruaja e ish Presidentit Amerikan Heizenhouer, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë etj.