Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Krasniqi ka thënë se çështja e statusit të Kosovës është e zgjidhur në momentin kur është shprehur vullneti i qytetarëve për shpalljen e pavarësisë. «Për mua dhe për qytetarët e Kosovës, çështja e Kosovës është kryer, statusi është zgjidhur, dhe në atë kohë kur populli shqiptar ka vetëvendosur për t’u shkëputur nga politika e gjenocidit dhe e robërisë dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, çështja e Kosovës është e zgjidhur», ka deklaruar Krasniqi. Kryeparlamentari Krasniqi ratifikimin e marrëveshjes me Maqedoninë për demarkacionin fizik e ka quajtur të rëndësishme për Kosovën dhe për rajonin, ndërsa nuk ka pranuar se Kuvendi është ngutur me ratifikimin e saj, pavarësisht protestave të banorëve të Debëlldesë. «Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë. Ne konsiderojmë se miratimi, ratifikimi i kësaj marrëveshje është i rëndësishëm për Kosovën dhe është i rëndësishëm për proceset që janë duke u zhvilluar rreth Kosovësö, ka thënë ai. Kryeparlamentari ka folur edhe për raportin e progresit të Komisionit Evropian, duke theksuar se vërejtjet që janë dhënë për institucionet e vendit, sigurisht se do të debatohen në Kuvend. Ai ka thënë se raporti është real dhe pasqyron gjendjen dhe funksionalizimin e të gjitha institucioneve të Kosovës. /rtv21/