Kosovë: SHIK-u po hetohet nga prokuroria speciale

Kosovë: SHIK-u po hetohet nga prokuroria speciale

Zhvillimin e hetimeve e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e EULEX-it, Kristtina Herodes, por nuk ka dhënë shumë detaje.
Shërbimi Informativ i Kosovës, organizatë kjo e afërt me Partinë Demokratike të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, është “legjitimuar” nga Qeveria e Përkohshme në vitin 1999 dhe shef i kësaj organizate ka qenë Kadri Veseli. Por më 15 qershor të vitit 2008 nëpërmjet një adresimi në RTK, drejtuesi i kësaj organizate, Kadri Veseli, e ka deklaruar të mbyllur “misionin e saj”, duke ftuar qytetarët e Kosovës që ta përkrahin Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.
Por “misioni kombëtar i SHIK-ut” nuk ka qenë pengesë për nisjen e hetimeve nga prokurorët ndërkombëtarë të EULEX-it, të cilët dyshojnë se kjo organizatë është përfshirë edhe në krim të organizuar.
Duke e konfirmuar fillimin e hetimeve, zëdhënësja e EULEX-it për drejtësi, Kristtina Herodës, ka thënë se këto hetime janë duke u zhvilluar me shpejtësi të madhe.
Hetimet për veprimtarinë dhjetëvjeçare të SHIK-ut nga Prokuroria Speciale “Kohës Ditore” ia ka konfirmuar edhe prokurori i shtetit, Hilmi Zhitia, por as ai nuk ka qenë në gjendje të flasë për këtë, pasi me Ligjin mbi kompetencat e Prokurorisë Speciale është e përcaktuar se krimi i organizuar është kompetencë e rezervuar për ndërkombëtarët./koha/