Kompania Bechtel & Enka, fituese për ndërtimin e autostradës

Kompania Bechtel & Enka, fituese për ndërtimin e autostradës

Ka qenë ministri i Transportit dhe Post Telekomunikacionit (MTPT), Fatmir Limaj, i cili ka kumtuar lajmin gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës se oferta e kompanisë amerikano- turke Bechtel & Enka është fituese për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare.Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se autostrada ka qenë një nga projektet kryesore të Qeverisë së Kosovës, ndërsa i ka përmendur përfitimet që do t’i ketë Kosova nga ndërtimi i kësaj autostrade, pasi që shteti ka mundësi më të mëdha të qasjes në tregjet ndërkombëtare.“Përfitimet të cilat do t’i ketë Republika e Kosovës prej fillimit dhe ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdare, pra për shtetin e Kosovës sepse Kosova lidhet me korridoret evropiane. Krijohet infrastrukturë moderne të standardeve më të larta evropiane dhe botërore, përshpejtohet zhvillimi ekonomik i vendit tonë, do të krijohen me mijëra vende të punës, edhe ekspertët edhe kompanitë lokale do të kenë mundësi përfitimi dhe mundësi të reja zhvillimi. Shteti i Kosovës do të ketë akces shumë të lehtë në tregjet ndërkombëtare, por edhe tregjet ndërkombëtare për në Republikën e Kosovës do të lehtësohet lëvizje e njerëzve edhe e mallrave”, ka thënë Thaçi.Kryeministri theksoi se Kosova tani e tutje do të jetë shumë afër me portet detare dhe për qytetarët e Kosovës do të krijohet një mundësi për dalje më të shpejt në det.Nga ana tjetër Komitetit Ndërministror gjatë mbledhjes së të hënës e ka rekomanduar qeverinë për aprovimin e raportit vlerësues teknik dhe financiar të bërë nga kompania konsultuese “Evroshed” dhe nënkomiteti ndërministror për ndërtimin e autostradës.Pas bërjes publike të emrit të kompanisë fituese, ministri i Transportit dhe Post-Telekomit, Fatmir Limaj ka thënë se komiteti rekomandon aprovimin e ofertës alternative dhe që qeveria të fillojë negociatat me kompaninë e parë të ranguar si ofertuesi më i mirë, pra me kompaninë Bechtel & Enka, për nënshkrimin e kontratës.Limaj ka dhënë edhe sqarime pse janë bërë disa devijime të autostradës, duke thënë se me këto devijime është kursyer një shumë e lartë e buxhetit dhe se nga kursimi i këtij buxhetit mund të nderohet autostrada Prishtinë -Shkup.“Komisioni vlerësues dhe ai ndërministror ka shqyrtuar në detaje të gjitha alternativat që janë dhënë dhe ofertën e paraqitur nga Bechtel & Enka për një devijim të segmentit që fillon pas shkyçjes së Suharekës para se të fillojë ngritja në Qafen e Duhles dhe shmangia nga terreni malor, duke i rënë malit përreth. Sipas vlerësimit të mëhershëm si pasojë vlera e përafërt e punimeve në këtë seksion do të kushtonte vetëm për 22 km nga qafa e Duhles deri në Shtime do të kushtonte për 22 km 405 milionë euro, afërsisht 20 milionë euro kilometri rrugor. Me këtë kursim kemi mundësi t’i kursejmë dhe të ndërtojmë nga fillimi deri në fund pothuajse autostradën Prishtinë-Shkup”, ka thënë Limaj.Ndërkohë, Komitetit Ndërministror gjatë mbledhjes ka kërkuar nga qeveria që t’i miratojë rekomandimet dhe që t’i jepet mundësia komitetit ndërministror për ta përfaqësuar zyrtarisht Kosovën si autoritet kontraktues për ndërtimin e autostradës.Në sqarimet e tij, ministri Limaj ka shtuar se janë të kualifikuara dy kompani Bechtel & Enka dhe Strabak, por komiteti drejtues ka vlerësuar se kompania e cila ka marrë notat më të larta dhe me të cilën duhet të fillohen negociatat për mbyllje të kontratës është Bechtel & Enka.Limaj tha se autostrada Morinë-Prishtinë do të jetë autostradë me hyrje dalje vetëm në kyçe të autostradës dhe e një sistem të mbyllur me gjerësi prej 28 metra, ndërsa do të jenë 4 shirita qarkullues nga 3.75 metra, dy shirita për ngadalësim nga tri metra, si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi deri në 4 metra.Ministri Limaj ka theksuar se sipas propozimit të kompanisë del se për 36 muaj pritet përfundimi i gjithë autostradës nga Besia në Sllatinë-Orllat, kjo është pjesa që është investim i Qeverisë, pastaj nga Orllati në Vermicë.Mirëpo, nga zyrtarët qeveritar nuk janë dhënë as kilometrat e saktë se sa do të jetë e gjatë autostrada dhe koston e përgjithshme, duke thënë se duhet të bëhet një vlerësim teknik pastaj dihet kostoja e autostradës.Pas mbledhjes së qeverisë, zëdhënësi Memli Krasniqi ka thënë se një mesatare e një kilometri të autostradës është përafërsisht 7 milionë deri në 7 milionë e gjysmë euro.“Ndryshon pak gjatësia e mëhershme në krahasim me planet e mëhershme që kanë ekzistuar, përfundimi i negociatave do të jap me metra saktë se sa do të jetë gjatësia edhe kostoja e saj, e cila tashmë nuk dihet normalisht, por gjatë procesit të negociatave ashtu siç parashihet me ligj duhet të respektojmë këtë periudhë që do të ndodh në ditët e ardhshme sipas gjitha gjasave, ndërsa vendimi do të nënshkruhet sot dhe do të hyjë në fuqi siç e dëgjuat dhe më pas është një çështje ditësh për të dalë me gjitha detajet finale”, ka thënë Krasniqi.Ndërkaq, nga Ministria e Transportit bëhet e ditur se nga Vërmica deri në Therandë do të shfrytëzohet traseja ekzistuese e autostradës prej 37.7 km, por edhe një pjesë e segmentit C dhe D të autostradës do të shfrytëzohet traseja ekzistuese sipas projektit të mëhershëm Prishtinë-Jug-Besi.Po ashtu edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës do të futet në sistemin e autostradës dhe për herë të parë do të ketë një gjysmë unaze jashtë qytetit të Prishtinës, e cila bën lidhjen e zonës së Besianës në drejtim të Aeroportit dhe lidh me autostradën e Durrësit dhe autostradën e ardhshme që do të jetë në drejtim të Shkupit.Sipas propozimit alternativ të kompanisë do të ketë një ndryshim të trasesë nga udhëkryqi i autostradës R 6 dhe R 7, deri në kryqin R 9, në gjatësi prej 11.6 km. Oferta e prezantuar nga kompania “Bechtel & Enka përfshinë ndërtimin e dy fazave të segmenteve të autostradës. Faza e parë përfshin ndërtimin e segmentit A1, A2, PLUS B3 nga Vermicë – Prizren – Therandë – Orllat në gjatësi prej 60.7 km, e cila pritet të përfundojë brenda 24 muajve nga dita e fillimit të punimeve, në një kosto përafërsisht 7.5 dej në 8 milionë euro për kilometër rrugor. Ndërsa faza e dytë përfshinë ndërtimet e segmentit Sllatinë – Besi në gjatësi prej 27 km dhe pritet të përfundojë brenda 36 muajve nga nënshkrimi i kontratës dhe kostoja është përafërsisht e njëjtë 7.5 deri në 8 milionë euro për kilometër.Në garë për të fituar këtë tender kanë qenë së pari 7 kompani, ajo Alpine nga Austria, Bechtel & Enka amerikano-turke, Makyol nga Turqia, Pizzaroti nga Italia, Porr nga Italia, Strabag nga Austria dhe Terna nga Greqia. (Kosovapress)