Të freskët dhe me emocione të “Top Fest”-it, shumë prej këngëtarëve që fituan në këtë festival, ishin të pranishëm të martën mbrëma në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve videomuzikore “Videofesti muzikor 2009”. Këngëtarët kosovarë këtë vit dominuan me shpërblime në “Top Fest”.
Madje, edhe çmimin kryesor e fitoi këngëtarja e re nga Kosova, Linda, me këngën “Ëndërroj”.
Këngëtarët janë shprehur të kënaqur me vlerësimin që u është bërë. Gili dhe Enis Potoku, të cilët me këngën “Kur u ndamë” fituan “çmimin e internetit”, kanë thënë, se ky ka qenë çmimi që e kanë dëshiruar.
Mirëpritja që i është bërë nga ana e publikut në finalen e “Top Fest”-it, sipas Gilit, ka treguar se ata e kanë pasur vendin atje. I kënaqur me vlerësimin është shprehur edhe autori i këngës “Kur u ndamë”, Ilir Berani. Këngëtarja Jehona Sopi me këngën “Bashkë a do të plakemi”, ka fituar çmimin “Best female”.
Jehona beson se vlerësimi ka qenë korrekt.Për Besnik Çakën, konkurrenca në kategorinë që fituan ka qenë shumë e fortë. NRG Band me singëllin “Nina” rrëmbyen çmimin “Best Grup”.
Ndërsa, për reperin F-Kay, çmimi “Best hip – hop” ka qenë befasi. Edhe Dafina Zeqiri është e kënaqur me çmimin që fitoi, atë “Best R’n’B”.
Në mesin e këngëtareve të njohura nga Kosova në “Top Fest 6” ishte edhe Nora Istrefi. Me këngën pjesëmarrëse “Keq u pafshim”, Nora ishte e nominaur vetëm në kategorinë “Best female”, por nuk arriti të fitoi. Nora thotë se ajo e ka kryer punën e saj.
Edhe pjesëmarrës të tjerë nga Kosova janë vlerësuar me çmime: Eliza Hoxha me “Best Dance”, ndërsa Andos dhe Xuxi fituan çmimin “Best song” me këngën “Free Spirit”. Nata finale e “Top Fest 6” u mbajt të dielën në Pallatin e Sporteve “Asllan Rusi”. Për këtë edicion të festivalit kanë konkurruar 269 artistë nga të gjitha trevat shqiptare.