Katari njeh pavarësinë e Kosovës

Katari njeh pavarësinë e Kosovës

Në një kumtesë të lëshuar sot herët në mëngjes nga Kryeministria, thuhet se Princi Al Thani e falënderoi kryeministrin Thaçi për vizitën ne Katar dhe i konfirmoi atij se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Katari më tutje nuk është çështje e hapur, është një punë e përmbyllur dhe se pritet vetëm formalizimi i vendimit.“Ne e njohim dhe e respektojmë vullnetin e popullit të Kosovës. Ftesa jonë për ju dhe takimi ynë i sontëm është shprehje e vullnetit tonë për të njohur Kosovën dhe shënon fillimin e një kapitulli të veçantë në marrëdhëniet e dy popujve tanë miq”, u shpreh Princi Al Thani, thuhet në komunikatë.Kryeministri Thaçi dhe Princi Al Thani u pajtuan për thellimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore, me theks të veçantë në marrëdhëniet ekonomike.Princi Al Thani i premtoi kryeministrit të Kosovës se së shpejti do të dërgojë një ekip zyrtar në Kosovë për të shqyrtuar mundësitë më të mira për investime në Kosovë.Kryeministri i Katarit, i cili është njëkohësisht edhe ministër i jashtëm, Sheikh Hamad Bin Jassim Bin Jabr Al-Thani, shtroi një darkë pune për nder të kryeministrit Thaçi. Gjatë takimit, u rikonfirmua qëndrimi i Katarit në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe për thellimin e marrëdhënieve bilateral ndërmjet dy shteteve. /KNN