Genc Zogaj, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është arrestuar nga autoritetet e Hungarisë dhe më pastaj është ekstraduar në Serbi me akuzë të ngritur nga gjykatat serbe për kinse krime të kryera në Kosovë gjatë kohës së luftës, ka njoftuar familja Zogaj. «Ai ka qenë i arrestuar nga organet e UNMIK-ut në vitin 2001 me të njëjtën akuzë, por gjykatësit ndërkombëtarë e kanë shpallur të pafajshëm», ka deklaruar për KTV-në motra e tij, Arta Zogaj. Duke cituar fjalët e avokatit mbrojtës të Genc Zogajt, ajo ka thënë se ai është arrestuar në Hungari mbi bazën e fletarrestimit të ngritur nga gjykatat serbe, kurse autoritet hungareze ende nuk kanë lëshuar asnjë dokument zyrtar për të konfirmuar arrestimin dhe ekstradimin e tij në Serbi. Po ashtu, sipas avokatit të ti, Genci pas arrestimit në Hungari, të hënën është ekstraduar në Serbi, ku gjykata e Vranjës me procedurë të shpejtë i ka caktuar 30 ditë paraburgim. Familjarët e Gencit kërkojnë nga të gjitha institucionet vendëse dhe ndërkombëtare që të ndikojnë te autoritetet serbe që Genci të kthehet në Kosovë. /ktv/