Gjermania triumfon në “Eurovision”

Gjermania triumfon në “Eurovision”

Kënga “Satellite”, e kompozuar nga amerikani Julie Frost dhe danezi John Gordon e sjellë në skenë nga këngëtarja 19-vjeçare, Lena Meyer – Landrut, njëherësh ka qenë edhe kënga më e shkarkuar nga ueb faqja zyrtare e “Eurovisionit” dhe ka thyer të gjitha rekordet e shitjes pas përzgjedhjes nga shteti gjerman për të marrë pjesë në “Eurovision 2010”. Votimet nga 39 shtete pjesëmarrëse, të cilat përcaktuan fituesin e finales së madhe të mbajtur në Oslo të Norvegjisë, i siguruan Gjermanisë gjithsej 246 pikë. Përfaqësuesja e shtetit turk, grupi Manga, me këngën “We could be the same”, është radhitur e dyta me 170 pikë, përderisa Rumania e përfaqësuar nga Paula Selling & Ovi u radhit e treta. Shqipëria, e përfaqësuar me këngën “It’s all about you” të kënduar nga Juliana Pasha, me kompozim të Ardit Gjebresë dhe tekst të Pirro Çakos, është radhitur në vendin e 16-të me vetëm 62 pikë. Këngëtarja Lena me t’u ngjitur për të dytën herë në skenën e “Eurovisionit”, kur është shpallur fituese e këtij edicion të garës së madhe, është shprehur e emocionuar duke thënë se asnjëherë nuk e ka menduar një gjë të tillë. Kënga e saj pop ka vargjet e një femre të dashuruar e cila frustrohet nga të qenit e injoruar. “Ndihem sikur kjo nuk po ndodh vërtet. Jam shumë e lumtur, shumë falënderuese dhe kurrë s’e kam menduar se mund ta bëj këtë”, ka thënë këngëtarja Lena menjëherë pasi u shpall fituese. Lena, po këtë muaj ka edituar albumin e saj të parë, përderisa ka çuar shtetin e saj në fitore pas 28 vitesh. Gjermania për herë të fundit ka fituar këtë garë në vitin 1982.  Ishte kënga “Drip Drop” e përfaqësueses së Azerbajxhanit ajo që u parapriu këngëve  të tjera garuese në spektaklin i cili është drejtuar nga prezantuesit Erik Solbakken, Haddy Jatou N’jie dhe Nadia Hasnaoui. Performanca e përfaqësuesit spanjoll Daniel Diges është penguar nga një shikues i cili është ngjitur në skenë dhe këngëtari fitoi rastin që të përsëriste këngën pas Danimarkës (që ishte konkurrenti i fundit).Stadiumi “Arena Telenor” në natën finale ishte nikoqir i 18 mijë njerëzve që përcollën për së afërmi performancat e përfaqësuesve të 25 shteteve, të cilët garuan për të triumfuar në edicionin e 55-të të Garës Evropiane të Këngës. Në të njëjtën kohë, prapa ekranit, “Eurovisioni” u ndjek nga 120 milionë shikues, të cilët për herë të parë patën rastin që nga 39 shtete të botës të votojnë që nga fillimi i spektaklit. Televotimet e kombinuara edhe me vlerësimet e jurisë, përbënë skemën e “Eurovisionit”, e cila sikurse edhe çdo vit tjetër u plotësua nga pikët që secili prej shteteve i pasqyroi përmes një zëdhënësi. Përfaqësuesja e Shqipërisë, Juliana Pasha, është ngjitur në skenë e 15-ta, e shoqëruar edhe nga tri këngëtare amerikane, Glenys Vargas, Desire Keedjour dhe Joy, si dhe nga violinisti shqiptar me renome botërore, Olen Cezari.