Ekskluzive: Kur gazetaria e ndryshon dioptrinë e vrojtimit

Ekskluzive: Kur gazetaria e ndryshon dioptrinë e vrojtimit

Më e fuqishme se çdo fjalë e rreme në artikujt e Christoph Heinzle është bekgraundi i pastër moral, profesional e financiar i kompanisë ECOLOG dhe themluesve Destani. Më e fuqishme, se e pavërteta e gazetarit Christoph Heinzle është politika afatagjate zhvillimore e kompanisë Ecolog, e cila nuk pikoi nga qielli, por erdhi si rezultat i përpjekjeve sizifi të familjes Destani për të zotëruar një kapital, që nuk do të jetë i dobishëm vetëm për ata personalisht, por  edhe për një komunitet më të gjerë njerëzish.  Besojmë, se sa më shumë përpjekje të tilla fisnike të ketë ndër shqiptarë, aq më pak do të ketë kontrabandues dhe konsumues të drogës, më pak delikuentë rrugëve të Europës, dhe më pak varfanjakë sokaqeve të Tetovës, Prishtinës e Tiranës
  
Një akuzë qesharake e lexuam këto ditë në adresë të kompanisë Ecolog, e denjë për të marrë pjesë vetëm në ndonjë konkurs për “rrëfimin më të pavërtetë gazetaresk”, fitues i të cilit, mbase mund të jetë ndonjë autor i kalibrit të Christoph Heinzle (NDR), apo edhe ndonjë bashkëautor si Johannes von Dohnanyi (Weltwoche) .
Hamendësimet e këtyre gazetarëve, kur shkruajnë për kompaninë prestigjioze ECOLOG dhe themluesit e saj, që kanë mbiemrin Destani, tejkalojnë caqet objektive të një gazetarie hulumtuese e të paanshme dhe kalojnë në sferën e spekulimeve që kanë emërues të përbashkët: njollosjen e biznesit të pastër të një familjeje shqiptare, me shtetësi gjermane, e cila është shembull dhe krenari  jo vetëm për vendlindjen, prej nga vinë ata, por për gjithë komunitetin shqiptar.
 
Destanët janë, madje edhe krenaria e shtetit gjerman, sepse vetëm në një shoqëri demokratike, siç është ajo gjermane, me kushte brilante të zhvillimit të biznesit dhe me shanse të barabarta për konkurrencë të lirë në treg, këta afaristë të shquar shqiptar do të kenë mundur t’i arrijnë objektivat e tyre të pastra ekonomike.
 
Po të isha unë sot ministër i Ekonomisë në Qeverinë Gjermane, këta afaristë do t’i shpërbleja me medalje të artë për kontributin, që ata po japin në përhapjen e klimës pozitive të biznesit gjithkund, ku kompania e tyre operon, por edhe për ndihmesën e madhe, që ata po japin në zbutjen e papunësisë në zonat ku ata veprojnë. Ecolog sot është një institut i madh pune, dije e përvoje, kurse Destanët janë bashkuesit e shumë gjuhëve, shumë kulturave, shumë etnive, shumë religjioneve në një lumë që rrjedh ujë të pastër, për qëllime të pastra. Ata që mundohen ta bëjnë të turbullt këtë ujë, e kanë të kotë të krijojnë prej tij pasqyra për të deformuar fytyrën. E deformuar mund të mbetet vetëm përpjekja për të njollosur atë që është e pastër si loti, ashtu siç mund të jetë edhe kompania prestigjioze Ecolog dhe themeluesit e saj Destani. 
 
Si filloi fushata mediatike-joprofesionale kundër kompanisë Ecolog dhe familjes Destani dhe çka fshihet në prapavijën e kësaj fushate?
 
Në radhë të parë, kryeautori i kësaj fushate, gazetari Christoph Heinzle është i njohur edhe si palë e humbur në gjyqin e ngritur kundër tij për shpifje, para një muaj e gjysëm, nga ana e kompanisë Ecolog.
Një burim i besueshëm afër kësaj kompanie tregon se shpifjet e gazetarit Heinzle kundrejt kompanisë Ecolog kanë një parahistori disa vjeçare e deri në ditët e fundit.
 
Asnjë nga pretendimet e ngritura të tij, kundër kompanisë Ecolog dhe familjes Destani, nuk kanë dalur të sakta, thotë burimi ynë. Në një raport të publikuar më 10 dhjetor 2009, Christoph Heinzle ishte munduar ta vendoste në njëfarë lidhshmërie inkriminuese kompaninë Ecolog me një person nga Tetova, i punësuar në këtë kompani, i cili, sipas këtij gazetari, qenka zënë me disa kg. drogë.
Po në të njëjtin tekst, ai ofronte si të dhënë inkriminuese edhe veprat e paligjshme të një punëtori tjetër të Ecologut, me kombësi maqedonase, i cili, sipas autorit është marrë me larje parashë.
Kurse, si ”kryeargument” për ta vendosur nën thjerzën e dyshimit kompaninë Ecolog, Christoph Heinzle, kishte sjellë pretendimin, se kjo kompani të gjitha punët e kontraktuara me Bundeswerin gjerman, gjoja i ka lidhur pa tender dhe pa kurrfarë transparence.
 
Për ta vërtetuar të kundërtën e asaj çka pretendonte gazetari Heinzle, kompania Ecolog ngriti një padi kundër tij. Procesi gjyqësor i organizuar enkas për këtë rast, pas hulumtimeve e provave të dokumentuara, konkludoi se punëtori nga Tetova, veprën penale, që lidhet me drogën e zënë, e ka kryer tri vjetë para se të ishte punësuar në Ecolog dhe kjo kompani nuk ndjente kurrfarë përgjegjësie, nëse ndonjë punëtor i saj ka bërë vepra të kundërligjshme në një kohë dhe një hapësirë, që nuk lidhet drejtperdrejtë me të.
 
Ata që janë të interesuar të dinë pak më shumë rreth këtij rasti, munden lehtë të informohen përmes avokatit të kompanisë Ecolog, i cili kishte siguruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm nga prokurorët, ku vërtetohej se punëtori i arrestuar nga policia gjermane, veprën penale e kishte kryer 3 vjetë para se ai të punësohej në Ecolog  (Afganistan). Prokurorët, gjithashtu me dokumentacion të posaçëm kishin vërtetuar se mbi kompaninë Ecolog dhe udhëheqësit e saj nuk ekziton kurrfarë dyshimi dhe ata nuk kanë kurrfarë lidhje me personin e inkriminuar.
 
Gjyqi, pastaj, gjithashtu kishte vërtetuar se punëtori maqedonas, për të cilin flet reporteri Heinzle, asnjë veprim të paligjshëm nuk e ka bërë me emblemën e Ecologut dhe në llogari të kësaj kompanie. Veprimi i tij ishte kualifikuar si ”privat, i paligjshëm dhe jashtë kontekstit të kompanisë Ecolog”.  
 
Provat e dokumentuara gjyqësore, që ishin të konfirmuara edhe nga vetë Bundesveri gjerman, hidhnin poshtë si të pavërtetë pretendimin tjetër të gazetarit Heinzle rreth çështjes së kontratave. Kompania Ecolog të gjitha kontratat e punës me shërbimet logjistike të Bundeswerit-s, i kishte lidhura në kushte të një transaprence të plotë, me tender dhe pa kurrfarë manipulimi, konfirmohej në epilogun gjyqësor, i cili e shpallte si shpifës reporterin e NDR, Christoph Heinzle, kurse kompaninë Ecolog e përjashtonte nga çfarëdo lloj dyshimi për të cilin pretendonte ky gazetar.
 
Sipas rregullave në fuqi, gazetari i akuzuar paska të drejtë ankese ndaj këtij vendimi gjyqësor dhe siç jemi të informuar, ai ende s’ka depozituar ndonjë ankesë, por në vend të saj ka vazhduar fushatën e tij të paskrupullt mediatike kundër kompanisë Ecolog dhe familjes Destani. Por, tani objekt dyshimi merret raporti që ka kjo kompani me forcat e NATO-s, duke i ikur kështu objektit të observimit, nga Bundesveri (Ushtria gjermane), tek NATO, sepse vendimi gjyqësor ia ndalonte atij të merrej me Bundesverin, madje i njëjti vendim i kërkonte reporterit Henzle të largonte nga sajtet e internetit të gjitha tekstet denigruese, që kishte shkruar për Ecologun dhe në fund të shkruante një tekst afirmativ për këtë kompani.
Por, ai as njërën, as tjetërn ende s’e ka bërë. Për këtë gazetar janë të pamjaftueshme vendimet gjyqësore, që shpallnin të pavërtetë të gjitha shpifjet e orkestruara kundër Ecologut dhe i nxitur nga motive, të njohura vetëm për të, ka parapëlqyer të gjejë gjoja njolla të zeza në punën e ndershme të kësaj kompanieje.
 
Fryma e shpifjeve është gati e njëjtë, na sqaron burimi ynë afër kompanisë Ecolog, por pa ndonjë rezultat konkret në hulumtimin që ai mundohet ta bëjë, duke tentuar të nxjerrë, gjoja prova të reja inkriminuese për këtë kompani. Këto prova ai ”i paketon” në tri pyetje paragjykuese, me shkrim, drejtuar kompanisë Ecolog, nga e cila kërkonte nëse aeroplani i Ecologut ateronte direkt në pistën e NATO-s , në aeroportin e Kabullit, apo në atë civile, nëse në aeroplan transportohej droga dhe çfarë lidhje kishte familja Destani me një raport të KFOR-it, të para 8 vjetëve.
 
Për të shterruar kurreshtjen e tij ”hulumtuese”, drejtuesit e Ecologut, u përgjigjën me shkrim të tri pyetjeve, duke thënë shprehimisht se të gjitha fluturimet e aeroplanit të Ecologut, janë ekskluzivisht nën ingernecat e autoriteteve të NATO-s, kështu që vetëm ata përcaktojnë kushtet dhe agjendën e aterimit, dhe gjithmonë aeroplanët shfrytëzohen për materiale të nevojshme për punët që i kryen Ecolog, duke shkuar me mall dhe duke u ktheyr bosh. Asnjë material tjetër, përpos atyre që përdoren për nevojat e kompanisë Ecolog, nuk transportohen në aeroplan.
Sa i përket pyetjes që kishte të bënte me lidhshmërinë e familjes Destani me një raport të para 8 vjetëve të KFOR-it, në përgjigje thuhej se kjo familje nuk ka kurrfarë lidhje me përmbajtjen e këtij raporti dhe nuk përjashtohet mundësia mbiemri Destani të ngatërrohet me ndonjë person tjetër.
 
Çka fshihet në prapavijën e kësaj fushate? Sipas të gjitha indikacioneve, që vinë si refleks mbi motivet e kësaj fushate mediatike kundër kompanisë Ecolog, janë disa pista dyshimi që të shyjnë të mendosh, se krejt kjo luftë e paskurpullt bëhet për dy qëllime jo të pastra:
E para, të plasohen sa më shumë ”fakte” inkrimunuese për kompaninë Ecolog, duke e paraqitur atë si jokredibile në kryerjen e punëve për logjistikën e ushtrisë gjermane dhe të NATO-s dhe kjo pastaj gjoja do të mjaftonte që Ecolog të nxirret jashtë garës konkurruese, për të futur në treg ndonjë kompani tjetër (me të cilën mund të jetë i afërt, apo të ketë ndonjë interes special, gazetari ”i pavarur” Christoph Heinzle)
 
E dyta, të orkestrohet një disponim mediatik ANTINATO, duke e deligjitimuar misionin e saj paqësor në disa vende jashtë Europës, përmes floskulave të fabrikuara në stilin e reporterit Christoph Heinzle, i cili duke e goditur ”veprimet inkriminuese” të Ecologut, sikur dëshiron të vëjë në pikëpyetje bashkëpunimin e NATO-s me kompani, që për drejtues kanë njerëz me prejardhje jashtë Gjermanisë.
 
Fryma ANTINATO në një pjesë të medieve europiane, nuk është një fenomen i panjohur, por kur kjo nxitet për qëllime të ulta përfitimi, atëherë del në skenë përpjekja që të shantazhohen ato pjesë të aktiviteteve të NATO-s, të cilat mund t’ua cenojnë interesat ekonomike ndonjë ”konkuruesi xheloz”, që nuk zgjedh mjete e rrugë për të diskredituar konkurrencën e ndershme.
 
Të mësuar me paraqitjen skematike të stereotipeve mediatike mbi shqiptarët e këqij që vinë në Europë me një bagazh problemesh e delikuencash, gazetarët e tipit Heinzle, si duket, nuk munden kurrsesi të pajtohen me ”anën tjetër” të realitetit për shqiptarët e mirë, siç është familja Destani në Dyzeldorf të Gjermanisë, e cila është modeli i qytetarisë dhe esnafllëkut shqiptar.
 
Gazetari Christoph Heinzle (dhe ndonjë kolegë i tij që mendon si ai), duhet të turpërohet për dëmin që ia sjell në radhë të parë profesionit të shenjtë gazetarisë, të cilin e fut në skemën problematike të spekulimeve dhe të pavërtetave të fabrikuara në kuzhina të dyshimta propagandistike, por edhe opinionit publik gjerman, që e dhunon me një të “vërtetë” të njëanshme, për të cilën as nuk ka fakte, as nuk ka burime të verifikuara informimi.
 
 
Ne gazetarët që punojmë në Ballkan e dimë më së miri se çka don të thotë, kur njerëzit e pafajshëm bijnë viktimë  e “fishekëve” qorr të gazetarisë joprofesionale. Fatkeqësisht, duke e lexuar artikullin e Christoph Heinzle m’u kujtuan kohët e vështira në Ballkan, kur një pjesë e gazetarëve të pandërgjegjshëm nga ky regjion, bëheshin pararojë e falangës vrastare të Milosheviqit, i cili propagandën e përdori për të ushqyer makinerinë e tij të luftës me “mishin e njomë” të  fëmijëve të Kosovës, Bosnjës, Kroacisë. Sa është tmerr të kujtosh se ka në këtë botë njerëz, të cilët misionin e tyre profesional e këmbejnë me një qëllim të errët, me një shërbim djalli, kurse mungesa e theksuar e ndërgjegjës tek ata të përkujton mjeshtrit e mëdhenjë të sadizmit, tek të cilët kënaqësia që prodhonte vuajtje, mjerim, torturë, ishte alfa dhe omega e moralit të tyre njerëzor e profesional.
 
Nuk dua të besoj që edhe sot, në një hapësirë të lirë e demokratike europiane, mund të ketë ndonjë njeri që vetes i thotë gazetar edhe atëherë kur penën e tij të shkrimit e ngul mbi zemrën e një protagonisti të pafajshëm. A e ka kalkuluar dëmin dhe pasojat që mund të prodhojnë të pavërtetat e shkrimeve të tija, gazetari Christoph Heinzle, dhe të ngjashmit si ai, atëherë kur ka vendosur të shkruaj, pikërisht për ato dobësi që për familjen Destani janë të huaja. Duhesh të jesh i marrë dhe të shkyhesh së qeshuri që të besosh se një kompani prestigjioze, me një potencë të fuqishme financiare të merret me punë aq të liga, për të cilat na rrëfen palaço gazetari Heinzle.
 
Jo, zoti Heinzle. Ti ke gabuar rëndë, kur ke dashur të adresosh një kritikë, jo atje ku mbase mund të ketë deformime e matrapazllëqe, edhe në mesin e shqiptarëve, por pikërisht tek familja e ndershme shqiptare, Destani, të cilën ke dashur ta fusësh në stereotipet e kontrabandizmit, duke ia mohuar asaj kontributin madhor që ka dhënë në vitalizimin fiskal të vetë shtetit gjerman, por edhe në mëkëmbjen sociale e ekonomike të mijëra familjeve, jo vetëm në vendlindje, prej nga vinë ata, por edhe në Afganistan, Irak e gjetiu, ku edhe ushtria gjermane dhe ajo e NATO-s me lavdi dhe moral të lartë profesional po i kryejnë misionet e tyre paqësore.
 
Kur një gjysëm e vëretë fabrikohet për të prodhuar efekt në publik, ajo ka rrezik të kthehet në bumerang për vetë atë që e lanson. Pse? Sepse, nga psikologjia e opinionit publik e dimë se një e vërtetë për t’u etabluar me sukses në një rrafsh receptues, ajo duhet të bëj disa rrathë koncentrik të ndikimit, kurse në rastin konkret më e fuqishme se dezinformata e fabrikuar e Christoph Heinzle është reputacioni i vetë kompanisë ECOLOG, e cila nuk u krijua lehtë dhe brenda natës, por me mund, sakrifica dhe me dije e përvoja të akumuluara nga ekspertët gjermanë, amerikanë etj. Më e fuqishme se çdo fjalë e rreme në artikullin e Christoph Heinzle, është bekgraundi i pastër moral, profesional e financiar i kompanisë ECOLOG dhe themelusve Destani. Më e fuqishme se e pavërteta e gazetarit Christoph Heinzle, është politika afatagjate zhvillimore e kompanisë Ecolog, e cila nuk pikoi nga qielli, por erdhi si rezultat i përpjekjeve sizifi të familjes Destani për të zotëruar një kapital, që nuk do të jetë i dobishëm vetëm për ata personalisht, por  edhe për një komunitet më të gjerë njerëzish. Besojmë, se sa më shumë përpjekje të tilla fisnike të ketë ndër shqiptarë, aq më pak do të ketë  kontrabandues dhe konsumues të drogës, më pak delikuentë rrugëve të Europës, dhe më pak varfanjakë sokaqeve të Tetovës, Prishtinës e Tiranës.