Përmes një njoftimi për media EULEX njofton se i ka filluar hetimet lidhur me kontrabandimin e emigrantëve dhe rastin e tragjedisë të ndodhur në lumin Tisa. Zyrtarë të EULEX-it konfirmojnë se të shtunën mbrëma, një person i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe e ka dhënë një deklaratë të rëndësishme lidhur me përfshirjen e tij në këtë rast. “I dyshuari i dorëzoi policisë paratë që i ishin dhënë nga viktimat si garanci e pagesës (kapar) për organizimin e kontrabandimit të tyre. Hetimet tregojnë që të dyshuarit i janë paguar prej 6 mijë deri në 8 mijë euro për secilin grup të familjeve”. Bëhet e ditur se hetimet aktualisht janë të përqendruara në identifikimin e personave jashtë vendit që ishin të lidhur me organizatorët e lartpërmendur të kontrabandimit, e të cilët ndihmonin gjatë kalimit transit të personave përtej kufijve. EULEX thekson se prokurori i këtij misioni, i cili po i udhëheq hetimet, bashkë edhe me dy zyrtarë të Policisë së Kosovës tani ndodhen në Hungari për të mbledhur informacione shtesë. Ndërkaq, derisa vazhdojnë kërkimet për të gjetur kufomat nga tragjedia që ndodhi në lumin Tisa në Hungari, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë theksuar se pas identifikimit edhe kanë lëshuar fletarrest ndaj katër personave si të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore, porse ende nuk ka asnjë te arrestuar.