Sipas tij, Washingtoni është i interesuar për të intensifikuar bashkëpunimin me Serbinë, por ky vend duhet t’iu përmbahet premtimeve të dhëna. “Washingtoni dëshiron që të forcojë marrëdhëniet me Serbinë dhe pret që Beogradi t’i përmbahet premtimit se do të bashkëpunojë me institucionet e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë dhe se do t’i kontribuojë stabilitetit në rajon”, ka thënë ai, para anëtarëve të Kongresit. Ai ka thënë se Serbia mund të mos pajtohet rreth statusit të Kosovës, por ajo duhet të bashkëpunojë për të mirën e rajonit. “Siç ka thënë Nënpresidenti Josef Biden – mund të mos pajtohemi rreth statusit të Kosovës, por Serbia duhet të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar dhe me EULEX’in në çështjet praktike, të cilat avancojnë jetën e qytetarëve të Kosovës, posaçërisht të serbëve të Kosovës”, ka thënë Jones. Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për Europë ka shtuar se mbështetja e Beogradit për strukturat paralele në Kosovë, vetëm sa do ta shtojnë izolimin e komunitetit serb në shtetin e ri. “Refuzimi i Serbisë që të sillet në këtë frymë si dhe mbështetja ndaj strukturave paralele në Kosovë, vetëm sa do t’i shërbejë izolimit të serbëve të Kosovës dhe do të minojë përpjekjet që të zgjidhen problemet e tyre të përditshme”, ka than Stuart Jones.