Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se mikut amerikan do t’i bëhet pritje madhështore. Duke folur pas mbledhjes së rregullt të Ekzekutivit, Thaçi e quajti Clintonin njeri i madh, i cili ka bërë shumë për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Sikur transmeton KosovaLive, Thaçi ka ftuar qytetarët që të dielën të jenë në Sheshin “Bill Clinton”. Kryeministri Thaçi, në emër të ekzekutivit falënderoi të gjitha qeveritë e SHBA-ve për përkrahjen e madhe dhënë popullit kosovar. Gjatë vizitës në Kosovë, ish-presidenti Clinton do t’i drejtohet me një mesazh edhe qytetarëve të Republikës. Vizita e tij në Kosovë, siç tha kryeministri Thaçi, është e para në Kosovën e pavarur, por jo e para në Kosovën e lirë.Ish-presidenti i 42-të i SHBA-së, Bill Clinton, gëzon respektin e madh të shqiptarëve, për faktin se nën udhëheqjen e tij, SHBA mbështeti çlirimin e Kosovës në të gjitha format, madje përdori edhe forcën ushtarake mbi forcat okupuese të Serbisë. Për nder të tij, qytetarë të Kosovës dhe Shqipërisë kanë pagëzuar fëmijët e tyre me këtë emër, madje edhe disa organizata mbajnë emrin e tij. Gjithashtu një shesh në Prishtinë është emërtuar “Bill Clinton”. Aty, së fundi është vendosur edhe shtatorja e Clintonit, e gjatë rreth tri metra. Zbulimi i saj ishte paralajmëruar më herë gjatë këtij muaji, por ishte shtyrë për shkak të agjendës së zënë të ish-presidentit Clinton.