Berisha: "Rruga e Arbrit do të përfundojë brenda dy vitesh".

Berisha: "Rruga e Arbrit do të përfundojë brenda dy vitesh".

«Rruga e Arbrit do të përfundojë brenda dy vitesh». Ky ishte premtimi i radhës i kryeministrit Berisha në turin e tij paszgjedhor «Shqipëria po Ndryshon». «Rruga e Arbrit është vepër madhore, e cila do të përfundojë brenda 2 viteve të ardhshme», – deklaroi kryeministri në përurimin e fillimit të punimeve për sistemim-asfaltimin e rrugës Ura e Cerenecit – Peshkopi. Gjatë fjalës së tij ai renditi të mirat që do të sjellë kjo rrugë, jo vetëm për zonat nga kalon, por edhe për gjithë Shqipërinë. Sipas tij, pikësëpari do të përfitojë industria e turizmit, pasi rruga në fjalë do të shkurtojë distancën Dibër-Tiranë dhe të gjithë vijën bregdetare shqiptare. «Rruga e Arbrit, gjithashtu shkurton distancën midis Shkupit dhe Tiranës, me mbi 100 kilometra. Ajo i afron zonat shqiptare të Maqedonisë me Tiranën, Durrësin, Vlorën, shkurton distancën e tyre me vendin, me Shqipërinë, rreth dy herë», – theksoi më tej Berisha gjatë fjalës së tij. Sipas tij, do të shumëfishohen marrëdhëniet tregtare me vendet fqinje, si dhe «bën që gjithë portet e Shqipërisë të bëhen gjithnjë e më të përzgjedhura e më të përshtatshme për Maqedoninë dhe për Bullgarinë perëndimore». Por sipas tij, e një rëndësie të veçantë është mundësia e madhe që i jep kjo rrugë zhvillimit të zonave të Shqipërisë verilindore, e cila ende konsiderohet si një nga më të varfrat e vendit; hapja e tregut të këtyre zonave drejt Kosovës, e kryesisht qyteteve më të afërta me të, si Prizreni, Prishtina. Prandaj, për të pasuruar më shumë prodhimet bujqësore dhe prodhimet tradicionale të zonës, që të jenë të konkurrueshme në tregun e Kosovës, Berisha premtoi mbështetje për fermerët e zonave të Rrugës së Arbrit. /BalkanWeb/