Berisha dekorohet me Medaljen e Artë të LirisëPër kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë për çështjen shqiptare e në veçanti për Kosovën e pavarur e demokratike, presidenti Fatmir Sejdiu, dekoroi të martën kryeministri e Shqipërisë, Sali Berisha me “Medaljen e Artë të Lirisë”, të cilën vetë Berisha e konsideroi si nderimin më të madh që i bëhet atij.Kryeministri Berisha e pranoi këtë medalje pas një fjalimi që mbajti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seancë solemne. Ai tha se “Medalja e lirisë” përbënë një akt krenarie, për të gjithë kontributin që qytetarët e Kosovës kanë dhënë për lirinë e kombit, për lirinë e rajonit dhe më gjerë.“Përbën për mua nderimin të madh, sepse këtu në Kosovë u zhvilluan të gjitha lëvizjet e mëdha për liri të shqiptarëve, prandaj ndihem shumë krenar me këtë medalje që më dhatë sot”, u shpreh i emocionuar Berisha, i cili mbajti një fjalim inkurajues në Kuvend. Ai iu premtoi ligjvënësve kosovarë se Republika e Shqipërisë do ta mbështesë Kosovën në të gjitha sferat e funksionimit të shtetit, me qëllim që rruga e nisur mbarë të vazhdojë më tutje.Edhe në kuvend, Berisha tha se bashkimi kombëtar i shqiptarëve do të jetësohet brenda strukturave të Bashkimit Evropian. Ndërsa vetë prezencën e tij në Kuvendin e Kosovës, kryeministri shqiptar e përjetoi shumë emocianalisht, për faktin se siç tha, është hera e parë që iu drejtohet ligjvënësve të Kosovës së pavarur.“E përjetoj këtë moment si një nga ngjarjet më të shënuar të jetës sime, sepse ju me sakrificën tuaj e shndërruat në realitet ëndrrën më fisnike, më të bukur, më sublime, ëndrrën e lirisë”, u shpreh Berisha. Kosova në 130 vjetët e fundit, sipas tij, ka qenë gjithnjë djep i lëvizjes kombëtare shqiptare i Lidhjes së Prizrenit dhe i shumë kryengritjeve të mëdha, që siç tha Berisha, sollën pavarësinë e Shqipërisë. “Por Kosova e pavarur është faqja më e ndritur e kombit”, tha ai.Kryeministri Berisha në këtë seancë nuk harroi t’i përmendë dy figurat më të rëndësishme të historisë së fundit të Kosovës, presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, i cili sipas tij, nxori Kosovën nga errësira dhe me politikën e tij vizionare e ngriti në kancelaritë më të mëdha të botës, si dhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, që me sakrificën e madhe ndezi dritën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.“Asnjë komb tjetër në Evropë nuk ka pas të kaluar më të dhimbshme, më dramatike dhe më të vështirë se shqiptarët. Të sillen fqinjët pa mëshirshëm ndaj nesh, me spastrime njerëzore, copëtime të dhimbshme, ksenofobi të egra, duke marrë qindra e mijëra jetë njerëzish. Por, më në fund arritëm të mbrojmë vokacionin perëndimor të të ardhmes evropiane”, tha Berisha. Kryeministri i Shqipërisë në vazhdim tha se ato që kemi përjetuar nuk duhet t’i harrojmë, por tha se nuk duhet të na shërbejnë si pengesë për të ardhmen.“Integrimi mbetet ylli polar që ndriçon të ardhmen e rrugës sonë të përbashkët”, u shpreh ai. Në fund, Berisha u shpreh shumë i kënaqur me të arriturat në Kosovë në 20 muajt e pas pavarësisë. “Unë nuk di ndonjë vend tjetër sikur që është rasti me Kosovën, që ka arrit rezultate kaq të mëdha në më pak se 2 vjet pavarësi. Në 20 muaj Kosova paraqitet si i ri i pjekur”, tha Berisha. (KL)Berisha: Pavarësia faktor stabiliteti për rajoninPavarësia e Kosovës është faktor madhor për paqen dhe stabilitetin në rajon, ka deklaruar kryeministri shqiptar, Sali Berisha, pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu.Shqipëria ka angazhuar dhe do të angazhojë emisarë për lobim për pavarësinë e Kosovës, për ta përcjellë këtë mesazh te vendet që ende s’e kanë njohur realitetin e ri, ka thënë Berisha, para gazetarëve, pas takimit që ka pasur me kreun e shtetit të Kosovës. Nga ana e tij, presidenti Sejdiu ka shprehur konsideratat më të thella për punën dhe mbështetjen që Berisha she shteti shqiptar i jep në vazhdimësi Kosovës.Ai ka theksuar se për popullin e Kosovës ka qenë ngjarje e jashtëzakonshme dhe historike anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Gjithashtu, sipas tij, proceset integruese që po zhvillon Shqipëria janë një “fanar” për Kosovën.“Berisha, realizues i ëndrrës së shqiptarëve”Kryeministri Sali Berisha është realizuesi i ëndrrës së shqiptarëve, ndërtimit të autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, ai është jetësues i integrimit të Shqipërisë në NATO dhe kontribuues i madh për pavarësinë e Kosovës.Kështu e ka portretizuar kryeministri Hashim Thaçi homologun e tij shqiptar, Berisha, i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë. “Kryeministri Berisha është arkitekt i ndryshimeve në Shqipëri, realizues i ëndrrës së shqiptarëve, i ndërtimit të autostradës Durrës-Morinë, jetësues i integrimit të Shqipërisë në NATO dhe kontribuues i madh për pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi, në një konferencë me gazetarë.As Berisha nuk i ka kursyer lëvdatat për kryeministrin e Kosovës. Ai ka shprehur respektin për rolin dhe kontributin e tij, të cilin e ka vlerësuar thelbësor, për çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë dhe udhëheqjen e vendit në periudhat më historike.Në 20 muaj të funksionit si shtet, Kosova ka shënuar arritje të mëdha, kombëtare dhe ndërkombëtare, sipas kryeministrit shqiptar. “Ajo që më impresionon më së shumti është se luftëtarët e lirisë po i ndërtojnë me përkushtim të madh vlerat për të cilat ata luftuan”.Ai vlerësoi se Kosova ka një ekonomi të vogël, por dinamike, dhe e cila i rezistoi furtunës së përgjithshme financiare.I pyetur për qëndrimin e tij rreth bashkimit kombëtar, Berisha u shpreh se nuk ka dy kombe shqiptare, porse ideali kombëtar i shqiptarëve duhet të jetë ideali evropian. “Nuk mund të kemi të ardhme më të mirë se integrimi në Evropë”, theksoi ai.Edhe kryeministri Thaçi i ka quajtur raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë si raporte vëllazërore, ndërsa paralajmëroi se nisja e punimeve në autostradën Morinë- Prizren- Prishtinë, tashmë është çështje ditësh. “Kam kënaqësinë të ju informoj se edhe ne po numërojmë ditët të fillojmë me realizimin e projektit për ndërtimin e autostradës Morinë – Prizren – Prishtinë”, deklaroi Thaçi.Më herët, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nënshkruan gjashtë marrëveshje biletarale, dy nga të cilat u nënshkruan nga vetë kryeministrat: Marrëveshja për lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve dhe Protokolli për qarkullim në zonat kufitare.Kryeministri Berisha arrin për vizitë në KosovëKryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, arriti sot në mëngjes për një vizitë në Kosovë, i ftuar nga kryeministri Hashim Thaçi.Në vizitën e tij e parë, pas shpalljes së pavarësisë, kryeministri shqiptar për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare do të dekorohet nga presidenti Fatmir Sejdiu me “Medaljen e Artë të Lirisë”.Gjatë qëndrimit dyditor në Kosovë, Berisha gjithashtu do të marrë titullin më të lartë që ndan Universiteti i Prishtinës – “Doctor Honoris Causa”. Kurse nga Kuvendi Komunal i Prizrenit, ai do të shpallet “Qytetar Nderi”.Me të mbërritur në Prishtinë, kryeministri Berisha ka nisur takimet me liderët e institucioneve të Kosovës. Fillimisht ai është pritur nga kryeministri Thaçi, në mesditë ai pritet nga presidenti Fatmir Sejdiu, dhe më pas nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.Me fillim në ora 13:15, mbahet seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, gjatë të cilës presidenti Sejdiu ia dorëzon kryeministrit Berisha, “Medaljen e Artë të Lirisë”.Me këtë rast, Berisha do t’u drejtohet me një fjalë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.Gjatë ditës së sotme, kryeministri shqiptar do të takojë edhe liderët e partive politike, kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacollin; atë të LDD-së, Nexhat Daci dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn.Kryeministri Berisha gjithashtu pritet të zhvillojë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe ta vizitojë familjen e tij. Gjatë kësaj vizite, qeveritë e dy vendeve do të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh të natyrës ekonomike, arsimore dhe për lëvizjen e qytetarëve. Me fillim në ora 16, në Hotel Victory mbahet një takim i përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe homologes së saj nga Shqipëria. Në ditën e dytë të vizitës, kryeministri Berisha do të vizitojë Prekazin, ku do të zhvillojë homazhe në Memorialin e Adem Jasharit dhe qëndrojë në familjen Jashari.Agjenda e kryeministrit shqiptar do të vijojë më pas me takime të veçanta me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Pieter Feith dhe Komandantin e KFOR-it, Markus Bentler.Kryeministri Berisha do të vizitojë në Prishtinë edhe monumentin “New Born”. Një ditë më herët, nëpër rrugët e Prishtinës janë vendosur pllakate me portretin e kryeministrit të Shqipërisë, me mbishkrimet “Mirë se vjen Sali Berisha”.