Sipas mediave ndërkombëtare menjëherë pas procesit të votimit në Bankën Botërore, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi ka konfirmuar se është arritur kuorumi i nevojshëm për anëtarësimin e Kosovës në këtë Institucion. Republika e Kosovës pritet të bëhet anëtare e ligjshme në Bankën Botërore pas anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili ishte edhe kushti kryesor për anëtarësim. Kusht tjetër për anëtarësimin e Kosovës në BB ishte edhe miratimi nga Kuvendi i Kosovës i ligjit për anëtarësimin e Kosovës në FMN dhe në Organizatat e Grupit të Bankës Botërore. Anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore do të përfshijë edhe organizmat e tjerë që janë në Bankën Botërore, si Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, Shoqatën për Zhvillim Ndërkombëtar e të tjera. Ashtu si edhe në FMN, anëtarësimi Bankën Botërore nuk kushtëzohet me anëtarësim paraprak në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, mirëpo e ndihmon mjaft shumë hapjen e mëtejme të rrugës së Kosovës për anëtarësim në të gjithë mekanizmat relevantë ndërkombëtarë. Banka Botërore është krijuar në dhjetor të vitit 1945 dhe ashtu siç e thotë edhe emri i saj, ajo është një bankë ndërkombëtare që ofron ndihmë financiare dhe teknike vendeve në zhvillim dhe si mision të saj të deklaruar ka zvogëlimin e varfërisë. /Telegrafi/