Bajden: “Nuk pajtohemi rreth Kosovës

Bajden: “Nuk pajtohemi rreth Kosovës

«… Pajtohemi se rreth Kosovës nuk pajtohemi», ka deklaruar nënpresidenti amerikan, Xhozef Bajden, pas bisedimeve «sy më sy» me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq. Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhozef Bajden (Jospeh Biden) dhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, kanë përfunduar bisedimet që për një orë i kanë zhvilluar «sy më sy». Nënpresidenti Bajden, pas takimit, ka deklaruar se në emër të administratës amerikane ka ardhur në Beograd me porosi të qartë – se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të thellojnë bashkëpunimin me Serbinë dhe se Uashingtoni mbështet anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. «Shtetet e Bashkuara nuk presin që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Ky nuk është parakusht për mbështetjen tonë për Serbinë për t’u bërë pjesë e BE-së. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të insistojnë që serbët në Kosovë të kenë mbrojtjen më të gjerë të mundshme dhe presin nga Serbia që në Kosovë të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë», ka thënë nënpresidenti Bajden. «Konsiderojmë se mund të pajtohemi se rreth Kosovës nuk pajtohemi, me kusht që të kemi pritje të arsyeshme nga njëri-tjetri», ka thënë Bajden, për të shtuar se pret nga Beogradi që të bëjë krejt çfarë është e mundur për t’i arrestuar të akuzuarit e Hagës. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, pas takimit, ka deklaruar se bisedimet kanë qenë shumë të «hapura dhe produktive» dhe ka shfaqur bindjen se ato do t’i kontribuojnë hapjes së «etapës së re në formimin e politikës amerikane ndaj Serbisë dhe Ballkanit perëndimor». «Nënpresidenti Bajden dhe unë jemi pajtuar që tash është rasti për vendosjen e një niveli të ri të komunikimit ndërmjet dy vendeve tona. Jam i bindur se me dialog, që është i bazuar në respektin e ndërsjellë, mund të arrijmë shumë», ka thënë Tadiq pas takimit. Tadiq ka përsëritur qëndrimin e Serbisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe ka vënë në pah se «Serbia nuk njeh Kosovën» dhe «këtë nuk do ta bëjë kurrë». Menjëherë pas takimit me Tadiqin, kanë filluar bisedimet me delegacionin e Serbisë, në të cilin gjenden ministra dhe bashkëpunëtorë tjerë të afërt të Tadiqit. Pasdite, nënpresidenti amerikan, Xhozef Bajden, do të takohet me kryeministrin Mirko Cvetkoviq dhe me ministrin e Mbrojtjes, Dragan Shutanovac. Është paraparë që Xhozef Bajden të vë kurorë lulesh në vendin në kopshtin e Qeverisë serbe, ku, para gjashtë vjetësh, u vra kryeministri Zoran Gjingjiq. /rel/