Ambasadori Lulzim Peci, i dorëzoi në Oslo Letrat Kredenciale Lartmadhërisë së Tij Mbretit Harald V të Norvegjisë

Ambasadori Lulzim Peci, i dorëzoi në Oslo Letrat Kredenciale Lartmadhërisë së Tij Mbretit Harald V të Norvegjisë

L.T. Mbreti Harald V i Norvegjisë u njoftua nga Ambasadori Peci për progresin e arritur në Republikën e Kosovës në ndërtimin e shtetësisë dhe institucioneve demokratike, integrimin e komuniteteve pakicë dhe marrëdhëniet me vendet fqinje, si dhe u falënderua për ndihmën konsistente të Mbretërisë së Norvegjisë dhënë popullit dhe shtetit të Kosovës. L.T. Mbreti Harald V i Norvegjisë shprehu kënaqësinë për vizitën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi në Oslo në fund të nëntorit 2011. Ambasadori Peci theksoi se për të është nder i jashtëzakonshëm që është akredituar si Ambasador i parë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Norvegjisë, dhe që kjo ndodh pikërisht në momentin kur marrëdhëniet bilaterale janë në nivelin më të lartë. Ambasadori Peci në fund të audiencës solemne me L.T. Mbretin Harald V të Norvegjisë theksoi se marrëdhëniet bilaterale me Mbretërinë e Norvegjisë janë prioritet i lartë për Republikën e Kosovës, dhe siguroi se do të bëjë çfarë është e mundur brenda kompetencave të tij që këto marrëdhënie të intensifikohen në të ardhmen. Me aktin e dorëzimit të Letrave Kredenciale L.T. Mbretit Harald V, Ambasada e Republikës së Kosovës në Stockholm e mbulon Mbretërinë e Norvegjisë si mision diplomatik jorezident i akredituar në Oslo.