Në konferencën për media që e dha kryetari i Partisë së Drejtësisë, Dr. Ferid Agani, ndër të tjera tha se vizita e fundit e kryetarit të Republikës së Serbisë, Tadiqit në Kosovë, pikërisht në dhjetëvjetorin e përkujtimit të mijëra të masakruarve dhe të të vrarëve shqiptarë nga i njëjti shtet, që kurrë nuk kërkoi falje për gjenocidin e kryer mbi një popull të tërë të pafajshëm, shkaktoi ndjenja shumë të hidhura në mesin e qytetarëve të Kosovës.
Megjithatë, Partia e Drejtësisë, mirëkupton qëndrimin e Kryeministrit të Kosovës që, për hirë të vazhdimit të marrëdhënieve bashkëpunuese me SHBA dhe Bashkësinë Evropiane, ta lejojë këtë vizitë me rastin e një feste fetare. Njëkohësisht, Partia e Drejtësisë pret që Presidenti ose Kryeministri i Kosovës do të kërkojnë nga miqtë tanë ndërkombëtar që në frymën e Planit të Ahtisarit, në pajtim të plotë me konventat ndërkombëtare për liritë fetare dhe në interes të marrëdhënieve fqinjësore, t’ju mundësojnë edhe atyre vizitën në Kuvendet komunale dhe Këshillat e Bashkësisë Islame të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes, me rastin e për shembull Festës së Bajramit. Në këtë mënyrë udhëheqja kosovare do të dalë nga defanziva e skajshme politike në relacion me Serbinë, duke përmbushur obligimin shtetëror, kombëtar dhe moral, që të interesohet për komunitetin shqiptarë në Republikën e Serbisë, ndërkaq bashkësia ndërkombëtare do t’ia dëshmonte popullit shqiptar të Kosovës se respekton parimet e barazisë dhe reciprocitetit që janë parime themelore në marrëdhëniet ndërmjet shteteve sovrane. Partia e Drejtësisë pret që kryeministri i Kosovës, me gjithë potencialin e tij të padiskutueshëm patriotik, do të shfrytëzojë mbështetjen e madhe të Bashkimit Evropian dhe të SHBA për qëndrimin e tij të drejtë me rastin e vizitës së kryetarit serb dhe me vendosmëri do të ndërmerr masat për: Zhbërjen e plotë të strukturave jokushtetuese të shtetit serb në Kosovë; Zbardhjen e fatit të mijëra të pagjeturve në Kosovë; Ndërprerjen e krimit të organizuar, ekonomik dhe politik, në veriun e Kosovës; Ndërprerjen e shantazhimit të Serbisë për mallrat e prodhuara në Kosovë, në kundërshtim të plotë me Marrëveshjen e CEFTA. Deklarata politike e kryetarit serb, edhe me rastin e një feste fetare, dëshmon qartë se Serbia është në gjendje lufte të pashpallur (edhe pse ndoshta jo me mjete ushtarake) me Republikën e Kosovës. Përkitazi me këtë, Partia e Drejtësisë, e ka një pyetje jashtëparlamentare për Qeverinë e Kosovës: Cila është strategjia e Qeverisë së Kosovës për situatën reale kur Serbia edhe për një kohë të gjatë nuk do të pranojë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës? PD konsideron se nga kjo përgjigje duhet të varet edhe sjellja e mëtutjeshme e Republikës së Kosovës ndaj provokimeve të radhës të Serbisë. /drejtesia.org/