Çfarë janë shqiptarët në Maqedoni, vendas apo ardhacak?

Çfarë janë shqiptarët në Maqedoni, vendas apo ardhacak?

Siç duket dikush po i shtyn shqiptarët të ndiejnë nostalgji për jetën nën diktaturën jugosllave dhe kjo nuk bëhet paqëllim.
Injorimi i gjuhës sonë kombëtare fillon nga certifikatat personale, për të vazhduar me letërnjoftimet dhe pasaportat ku shpeshherë bashkëkombasit tanë të cilët punojnë në zyrat ku jepet këto dokumente na përgjigjen shpeshherë se nuk ka pasaporta në gjuhën shqipe. Certifikatat në heshtje na i japin vetëm në gjuhën sllavo-maqedonase, dhe nëse dikush e kërkon në gjuhën amtare nëpunësit na shikojnë shtrembër, me përbuzje. Pa folur që shpeshherë emrat dhe mbiemrat nga i shkruajnë me shkronja latine, por në gjuhën sllave duke bërë ndryshimin e shkronjave.
Ndërmarrja pritave elektrike EVN vazhdon të tallet me ironi prej disa vitesh me gjuhën shqipe, kjo u vërejt në deklaratën që bëri për një portal zëdhënësja e saj Vlera Gjakova ku tha ndër të tjera se faturat mund të vijnë në gjuhën shqipe pasi bëhet kërkesë zyrtare. Kjo deklaratë e një qytetareje me kombësi shqiptare duket sa ironike dhe qesharake kur dihet që përdorimi i gjuhës shqipe garantohet me ligj dhe Kushtetutë për të gjithë qytetarët me kombësi shqiptare dhe nuk duhet të parashtrohet kërkesë për përdorimin e saj.
Siç duket institucionet shtetërore dhe firmat e mëdha private i kanë shpallur luftë të hapur përdorimit të gjuhës shqipe, kjo luftë vërehet kudo edhe deputetët tanë heshtin përpara kësaj tragjedie. Duket se sa herë që afrohen zgjedhjet dëgjohen çjerrjet dhe britmat e ndonjë pseudopatrioti i orëve të vonuara për ta ngritur çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe ashtu siç i takon me ligjet e cunguara të votuara nga çorbë ngrënësit deputet shqiptar të cilët keqpërdorin votëbesimin e votuesve të tyre.
Poshtërimi i shqiptarëve si bashkëthemelues të shtetit të Maqedonisë u duk edhe me aprovimin e ligjit për përdorim e Flamurit Kombëtar, ku deputetët shqiptar votuan ligjin e zvogëlimit të flamurit tonë, pra flamuri shqiptar mund të përdoret vetëm i zvogëluat 30% nga përmasat e tij zyrtare. Ky është një devijim i rëndë nga ato përmasa që njihet kudo në botë zyrtarisht flamuri shqiptar.
Duke vërejtur edhe shkeljet e institucioneve shtetërore për përdhosjen e flamurit dhe gjuhës shqipe, shqiptarët duhet ti bëjnë pyetje vetes nëse janë qytetar vendas në Maqedoni apo ardhacak?
Shqiptarët duhet të zgjedhin midis qytetarit vendas dhe qytetarit ardhacak, nëse ndihen vendas atëherë duhet të mbrojmë identitetin e tyre kombëtar, duhet të luftojnë për tu ndier të barabartë me të drejta të plota ashtu si sllavo-maqedonasit, sepse fjala qytetar ka kuptimin të qenit i përhershëm, i barabartë me të tjerët para çdo ligji. Nëse shqiptarët ndihen ardhacak, atëherë duhet të heshtim, të nënshtrohemi dhe ta ndiejmë veten të përkohshëm, as me Maqedoninë e as me Shqipërinë.(të gjithë e dimë se si na quajnë në Shqipëri).
Prandaj secili nga ne duhet të marrë përsipër përgjegjësitë për të mbrojtur identitetin kombëtare në rast se nuk dëshirojmë të jetojmë nën diktaturën e mentaliteteve të kohëve të shkuara, të gjuhës së urrejtjes dhe dorës me kamxhik mbi kurriz. Për të mos ngritur dilemën se: na pengojnë, apo pengohemi me këmbët tona?