Gjatë takimit me Zëvëndëspresidentin e Parlamentit të Norvegjisë, Per-Kristian Foss, shefi i ekzekutivit shqiptar bëri me dije se Parlamenti sapo kishte marrë vendim për të zhbllokuar miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, fillimin e reformës zgjedhore dhe asaj të rregullores së Parlamentit, kushte këto të vendosura edhe nga Bashkimi Europian.
Zoti Berisha nënvizoi se pas një bllokimi dyvjeçar të reformave kyç, opozita më së fundi po i kthehej realitetit politik, duke shpresuar se një kurs i tillë politik do të vazhdojë në interesin më të mirë të vendit.
Kryeministri siguroi zotin Per-Kristian Foss se integrimi europian është projekti më i rëndësishëm i qeverisë së tij dhe se ky projekt bazohet vetëm në merita dhe reforma.
Gjatë bisedës me zëvëndëspresidentin e Parlamentit norvegjez kryeministri Berisha u shpreh se Parlamenti ka një rëndësi themelore në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe se vizita e tij kish si qëllim çuarjen më tej të marrëdhënieve bilaterale.
Ai i çmoi shumë të mira marrëdhëniet midis dy vendeve, ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Norvegjisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Kryeministri Berisha u ndal te investimet në sektorin e energjisë së rinovueshme, ku kompania norvegjeze ka një rol primar në projektin hidroenergjitik të kaskadës së Devollit, aktualisht ndër më të mëdhenjtë në Europë, si dhe në projektin e gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline, ku një kompani tjetër norvegjeze është ndër aksionerët kryesorë të projektit.
Zëvëndëspresidenti i Parlamentit i vlerësoi kompanitë norvegjeze të përfshira në projekte energjetike në Shqipëri si kompani lider në sektorët e tyre.
Per-Kristian Foss shprehu vlerësimin për programin e qeverisë shqiptare për investimet në infrastrukturë, kryesisht ato rrugore.
Ai theksoi se Shqipëria, me investimet në rrugë, është diskutuar si model edhe në parlamentin norvegjez.
Këtu zëvendëspresidenti i Parlamentit të Norvegjisë foli edhe për mundësinë për investime dhe bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve, ku përveç sektorit energjetik u tërhoq vëmendja tek turizmi dhe teknologjia e informacionit.
Në përfundim të takimit, zoti Per-Kristian Foss e shoqëroi kryeministrin Berisha në një vizitë në ambientet e Parlamentit dhe në sallën e seancave plenare të tij.