Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu ka shpjeguar arsyet pse partia që drejtohet prej tij vendosi të tërhiqet nga koalicioni qeverisës të udhëhequr nga Partia Demokratike.
Sejdiu, në një intervistë për Top Channel ka thënë se vendimi i LDK-së lidhet me sjelljet e PDK-së në Kuvend për çështjen e miratimit të strategjisë së qeverisë për privatizim të PTK-së.
“Në këto momente kanë ndodhur disa zhvillime që kanë dëmtuar raportet mes dy partnerëve të koalicionit. Vendimi i pardjeshëm u mor pa pasur një konsultim me LDK-në. Ishte një veprim që cenon veprimtarinë e Parlamentit me numërimet apo mosnumërimet”, ka deklaruar Sejdiu
Lidhja Demokratike e mori vendimin për dalje nga koalicioni, vetëm një ditë pasi që presidenti në detyrë Jakup Krasniqi shpalli datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 13 shkurt të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë Top Channel ka mësuar nga një burim brenda PDK-së se në këtë parti po përkrahet ideja e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që do të duhej të mbaheshin këtë vit dhe jo ajo e krijimit të ndonjë koalicioni me ndonjë parti tjetër