Qeveria e Maqedonisë me në krye Nikolla Gruevski ka krijuar edhe problemin politik të radhës në raportet ndëretnike. Kjo edhe karshi partnerit të tij të koalicionit BDI të Ahmetit. Policia me kordon të madh ka befasuar vendorët e fshatit “Patishka Rekë” të Shkupit, ku komuna e Sopishtës pa konsultuar ata ka vendosur gypa për rrjetin e ujësjellësit në këtë fshat. Banorët e fshatit dy ditët e kaluara, kanë përjetuar tmerrin dhe situatën që i ngjante periudhës së 2001-shit.
Kryeministri Gruevski nuk është ngopur as me projektin “Shkupi 2014”, Enciklopedinë, projektin e maqedonishtes nga klasa e parë, stimulimi i natalitetit nëpër komunat e Maqedonisë Lindore si dhe shumë projekte tjera antishqiptare. Tani, ai mënyrë të drejtpërdrejtë me anë të forcave policore synon t’i detyrojë shqiptarët që të ulin zërin e tyre apo t’i dëbojë nga vatrat e tyre shekullore. Çështja është se edhe sa do të durojë lideri i BDI-së Ali Ahmeti gjitha këto provokime të Gruevskit, kur merret parasysh se ata datojnë që nga viti 2006, atëherë kur pjesë e pushtetit ishte edhe PDSH e Thaçit. Ndërkohë, zëvendësministri i policisë Xhevat Buçi, nuk ka dashur të prononcohet rreth këtij rasti duke na udhëzuar që shpjegim të kërkojmë nga kryetari i komunës së Sopishtës, Jovan Gjorgioski. Madje, në partinë shqiptare në pushtet, BDI kanë thënë se projeketet që realizohen në këtë komunë kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës në këtë pjesë të qytetit të Shkupit. “Ndërtimi i tij është rezultat i dialogut intensiv mes institucioneve të pushtetit qendror dhe autoriteteve lokale, dhe për të është marrë parasysh edhe mendimi i popullatës lokale të Komunës së Sopishtës. Dëshirojmë të informojmë opinionin se në takimet e këshilltarëve të BDI-së me Kryetarin e Komunës, është arritur marrëveshje e cila është miratuar edhe në Këshillin komunal. Kjo marrëveshje i obligon institucionet qendrore dhe komunën që të financojnë realizimin e disa projekteve për fshatin ‘Patishka Rekë’, ku ndër më kryesorët është ndërtimit të kanalizimit të fshatit. Për fat të keq, ky projekt po pengohet nga disa individë në fshatin Patishka Rekë! Ne jemi të vetëdijshëm se disa nga banorët e kanë kundërshtuar këtë projekt për shkak të frikës së tyre se marrja e ujit do t’i detyrojë ata që të shpërngulen nga vendbanimet e tyre”, kanë thënë në BDI. Për autoritetet e MPB-së, madje e gjithë kjo situatë është në suaza të normales dhe se MPB-ja, ka shkuar atje për të siguruar, “qetësinë dhe për të kontrolluar situatën që të mos del nga kontrolli”.
“Gjithçka është nën kontroll dhe ndërtimi i ujësjellësit po rrjedh sipas tempit të planifikuar. Nuk është vërejtur asnjë incident, ndërsa qytetarët nëse kanë ndonjë vërejtje për punën e policisë, atëherë rastet duhen të paraqiten në organet kompetente. Më me rëndësi është që të mos arrihet deri te prishja e rendit dhe qetësisë . Deri më tani në organet e policisë nuk ka pasur asnjë paraqitje për përdorim të forcës nga ana e policisë“, ka thënë zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski, i cili ka refuzuar të publikojë numrin e policëve të cilët përkujdesen për punëtorët të cilët instalojnë gyp për ujësjellësin e disa vendbanimeve të Sopishtës. Ata, nuk tregojnë numrin e policëve të angazhuar në fshatin “Patishka Rekë” pasi që sipas tyre “është vlerësim i Ministrisë së punëve të Brendshme e cila varësisht nga situata përcakton numrin e policëve të cilët do të duhet të sigurojnë në vendin e caktuar”.
Edhe pse në Maqedoni nuk është shpallur asnjë gjendje e jashtëzakonshme apo orë policore banorët e “Patishka Rekës”, madje dy ditë të tëra jetojnë sikurse të jetë gjendje lufte, atyre u pamundësohet lëvizja e lirë ndërsa fshatarëve nuk iu lejohet që të hynë në shtëpitë e tyre për shkak të numrit të madh të punkteve të policisë të cilët pamundësojnë lëvizjen e lirë të banorëve.
Ajdar Ajdarovski për gazetën “Koha e Re” rrëfen se policia që nga dita e mërkurë ka rrethuar fshatin e tyre për arsye siç thonë, “banale, sigurimin e kompanisë dhe respektimin e vendimit të Komunës së Sopishtës e cila dëshiron që një pjesë të burimit nga uji i pijshëm t’u merë dhe të njëjtin ta çojë në lagjen e ashtuquajtur “Sonçev grad”. “Banorët e ‘Patishka Rekës’, dy ditë jetojnë sikurse në gjendje lufte, patrulla të mëdha policore keqtrajtojnë qytetarët dhe nuk i lejojnë që të hyjnë në shtëpitë e tyre. Policia ka vendosur gjashtë punkte, ndërsa një numër i madh i njësive speciale janë vendosur nëpër pronat private të banorëve si dhe në pjesën mbi fshat”, ka thënë Ajdarovski, banor i fshatit. Ata fajësojnë kryetarin e Komunës së Sopishtës Jovan Gjorgiovskin se është fajtorë për të gjitha ndodhitë dhe siç tha, “dëshiron që banorët shqiptarë t’i dëbojë nga vatrat e tyre shekullore”.
Ndërkohë, Demokracia e Re reagon ashpër ndaj bllokimit të “Patishka Rekës”, si dhe ndaj ushtrimit të presionit që bëhet nga ana e policisë mbi qytetarët e këtij vendbanimi.
“Është e patolerueshme që në një shtet që pretendon të jetë demokratik, qytetarëve të një vendi t’iu pamundësohet qarkullim i lirë dhe të ndalohen nga kryerja e obligimeve të tyre, siç është rasti me qytetarët e Patishka Rekës, të cilët nga ana e policisë janë të bllokuar për të hyrë dhe për të dalë nga fshati, por edhe nga puna në tokat e tyre private. Me këto akte të policisë vetëm përforcohet dyshimi se shteti merr karakter totalitar duke tejkaluar edhe sistemin e kaluar komunist. I bëjmë apel policisë menjëherë të tërhiqet dhe të debllokojë ‘Patishka Rekën’, me çka qytetarëve do t’iu mundësohet lirshëm të qarkullojnë dhe të punojnë në tokat e tyre”, kanë thënë në DR