Fatmir Sejdiu, mori drejtimin e LDK-së pas vdekjes së udhëheqësit historik të saj, Ibrahim Rugova, dhe njëkohësisht u zgjodh president i vendit në shkurt 2006, dhe u rizgjodh në këtë post më 17 shkurt 2008 me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, duke e ngrirë paraprakisht postin e kryetarit të partise. Formacioni i tij politik, LDK, dikur Partia më e madhe në Kosovë, aktualisht është në koalicion qeverisës me PDK-në, partinë e kryeministrit Hashim Thaçi që prej vitit 2007.
A do të jetë në gjendje Fatmir Sejdiu të mbajë frenat e LDK-së?
Rikthimi i Kryetarit Sejdiu në strukturat e LDK-së, në një moment kyç të historisë së partisë, në kohën kur janë duke u organizuar zgjedhjet e brendshme, e legjitimon rikandidimin e Kryetarit Sejdiu per kreun e LDK-së, po a do të jetë në gjendje ish-Presidenti i vendit të kthejë në normalitet formacionin e tij politik, i cili prej 2006-es vuan nga mungesa e liderit.
Ndërkohë gara për kryetar te partisë e hapur para disa javësh, ka nxjerrë dhe kandidatin Bujar Bukoshi, ministrin e tij të Shëndetësisë dhe dalja ne skenë në krah të tij e Uk Rugovës, djalit të liderit karizmatik Rugova, ende nuk dihet ç’surpriza do të ofrojë gara për kryetar të LDK-së e cila ka qënë një nga formacionet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës.
Zgjedhjet në LDK startojnë në mes të shtatorit dhe do të përfundojnë pas dy muajsh aty do të përcaktohet përfundimisht kasta politike e cila do të udhëheqë Partinë dhe do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Kosovë.
LDK-ja nga Ibrahim Rugova tek Fatmir Sejdiu
LDK-ja që prej krijimit të saj në 23 dhjetor 1989 nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, ka qënë Partia që ka pushtuar skenën politike të Kosovës. LDK-ja fitoi zgjedhjet e 2 korrikut 1990, asambleja me mazhoritet LDK-në vetëshpalli republikën e pavarur të Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave, dy vjet më pas po kjo asamble zgjodhi presidentin e Republikës më 24 maj 1992, liderin e rezistencës paqësore, Ibrahim Rugovën.
Ibrahim Rugova ishte misherimi i rezistences paqësore, një nga udhëheqësit e shoqërisë paralele e cila lindi si përgjigje ndaj represionit serb, dhe përdhosjes të së drejtave të shqiptarëve në Kosovë, ai u bë kështu në një farë mënyre simboli paqësor i shqipëtarëve në Kosovë. I quajtur « Gandi i Ballkanit » për idetë e tij paqësore, ky ish – student i Sorbonës dhe profesor i letersisë shqipe do të jetë lideri i patjetërsueshëm i shqiptarëve deri në vdekjen e tij. Megjithëse në peridhën 1998 -2000 imazhi i tij u fanit pak me domosdoshmërinë jetike të shfaqjes në skenë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, ai deri në ditët e fundit të jetës së tij qëndroi në postin e Presidentit të Kosovës dhe u respektua si i tillë nga i gjithë populli i Kosovës, i cili i dha dhe votën e tij në zgjedhjet e para të lira kosovare në vitin 2000, duke e rikthyer sërisht LDK-së krenarinë e saj në skenën politike.
Fomacioni LDK-së pritej të dominonte klasën politike për një kohë të gjatë, duke patur parasysh sjelljen e elektoratit kosovar tepër tradicional, dhe lideri historik Rugova ishte antidota që i përgjigjej shijeve të popullit të Kosovës. Por me ndarjen e tij nga jeta LDK humbi në njëfarë mënyre boshtin e saj, e ende askush nuk ka arritur të mbushë vakumin e lënë prej tij.
LDK-ja u nda pas një kuvendi problematik në vitin 2006, kur një pjesë e anëtarësisë me në krye Nexhat Dacin vendosi të shkëputej dhe të formonte një parti tjetër, Lidhjen Demokratike të Dardanisë. Shkeputja nga LDK-ja e Nexhat Dacit me grupin e tij, i shkaktoi humbjen në zgjedhjet e 17 nëntorit 2007. Kjo ndodhi e renditi LDK-në të
dytën në vend. Një tjeter kontigjent, jo pak i renëdësishëm dhe ky, u largua në vitin 2009 nga LDK-ja dhe iu bashkua forcës politike AAK.
Nevojë për reformim në LDK
Ne LDK kanë nisur disa perpjekje per reformim, po nje reformim i mirefillte ende s’ka hyrë në axhendë. Ajo që është kryesore, qëndron në faktin se LDK-ja duhet të ndahet nga kaluara, sigurisht pasi t’i ketë përfunduar të gjitha angazhimet e dikurshme, e te forcoje strukturat e saj me të rinj. LDK-ja duhet të gjejë forcat në të kaluarën e saj historike, dhe t’i adaptojë ato në sistemin aktual të nevojave të elektoratit të saj dhe të popullit të Kosoves, nevojave që ka spektri politik kosovar në rrugën e tij te ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian.
Nëse LDK-ja nuk arrin të bëjë një analizë të plotë të strategjisë së saj për zgjedhjet e ardhshme dhe të forcojë si kryesinë ashtu dhe bazën e saj, ajo do të vazhdojë të humbë akoma element të rëndësishëm të saj dhe do të bjerë akoma në renditjen e forcave politike në Kosovë, e të rreshtohet pas AAK-së, si parti e tretë, apo e katërt në vend!
*Studiuese dhe këshilltare pranë revistës franceze Politique Internationale