Rusët administrojnë në veriun e Kosovës

Rusët administrojnë në veriun e Kosovës

Vladimir Anokhin nga Rusia është ushtrues i detyrës së shefit të administratës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës. Lilia Galieva, po ashtu nga Rusia, është përfaqësuese komunale e UNMIK-ut në Leposaviq. Zyrtari i tretë rus atje është Vladimir Gromov. Ky i fundit është përfaqësues komunal në Zveçan. Burime të “Kohës Ditore” në atë pjesë të Kosovës kanë shpjeguar se të tre rusët kanë edhe një këshilltar. Andrei Efimov, që vjen nga Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, është këshilltar i lartë politik i UNMIK-ut në veri. Bashkë me rusët në veri të Kosovës punojnë tre zyrtarë të tjerë. Ata nuk janë nga Rusia, por edhe identiteti i tyre nuk është nga vendet më mike të Kosovës. Kozak Yaroslav nga Ukraina është përfaqësues komunal në Zveçan. Zyrtar për çështje civile në prezencën e UNMIK-ut në veri të Kosovës është Mario Maglov, serb nga Kroacia. Eva Maria Veliçkoviq është zyrtarja e fundit që punon në UNMIK.
Ajo ka nënshtetësi gjermane, ndërkaq kombësinë e saj burimet e gazetës nuk kanë mundur që ta përcaktonin. Të gjithë këta zyrtarë, sipas burimeve të gazetës, kanë bashkëpunim të mirë me strukturat paralele të Serbisë në veri të Kosovës, por bashkëpunim edhe më të mirë me këto struktura ka stafi lokal i UNMIK-ut atje, që përbëhet nga 99 për qind serbë vendas. Shumica e stafit lokal, që në përgjithësi janë rreth 120, punojnë edhe për strukturat paralele, sipas burimeve të gazetës. UNMIK-u ka edhe një bord këshillëdhënës në atë pjesë të Kosovës. Bordi që do të duhej të përbëhej nga përfaqësues të komuniteteve, përbëhet prej tetë personash. Gjashtë prej tyre janë serbë. Vetëm njëri nga ata është shqiptar dhe një tjetër është boshnjak. Megjithëse aktualisht UNMIK-u ka katër projekte të ndryshme shumetnike në atë pjesë të Kosovës. Burime të gazetës kanë shpjeguar se më shumë se 90 për qind të projekteve të propozuara nga komuniteti shqiptar atje janë refuzuar nga ky bord i UNMIK-ut. Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, nëpërmjet një komunikate për mediat ka thënë se prezenca e misionit që ai udhëheq e ka ndihmuar dhe po e ndihmon jetën në veri.
Zannier ka kundërshtuar pjesët kryesore të raportit të hartuar nga kjo zyrë e përbashkët koordinuese e qeverisë së Kosovës dhe e ICO-së.