Mauritania e njeh Republikën e Kosovës

Mauritania e njeh Republikën e Kosovës

“Pas komunikimesh intensive midis ministrive të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Republikës Islamike të Mauritanisë dhe takimeve në nivel ministrash të Jashtëm të dy vendeve, Republika Islamike e Mauritanisë, më 12 janar 2010, ka marrë vendim që të njohë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, nëpërmes një komunikate për shtyp.Njoftimi për njohje është bërë sot përmes Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju- Jork, me një notë verbale nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit e Republikës Islamike të Mauritanisë, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, saktëson MPJ.“Duke iu referuar letrës së Shkëlqesisë së tij, ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Skender Hyseni, dërguar ministrit të Jashtëm dhe të bashkëpunimit të Republikës Islamike të Mauritanisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit e Mauritanisë ka nderin të njoftojë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës se Republika Islamike e Mauritanisë ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran dhe ka marrë vendim që të themelojë marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadorësh”, thuhet në notën verbale të njohjes. Mauritania ka shprehur bindjen se ky vendim hap mundësi të mëdha të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunimit me interes të ndërsjellët në të gjitha rrafshet, ato politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.Mauritania gjendet në Afrikën Veriperëndimore, kufizuar me Oqeanin Atlantik, Senegalin, Malin, Algjerinë dhe Marokun.