Misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë – EULEX-, nuk i njeh struktura paralele serbe në Kosovë, kurse vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor të Serbisë për emërimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve serbë në komunat me shumicë serbe, përfshirë edhe komunat e sapokrijuara me procesin e decentralizimit, e vlerëson vendim politik, me të cilin duhet ballafaquar urgjentisht,citon sot zyrtarët e këtij misioni «Koha Ditore», në një shqyrtim të gjerë të problemit. «Ne e kemi vërejtur vendimin e Beogradit për emërimin e gjyqtarëve në gjykatat serbe në Kosovë. Ky është një vendim politik me të cilin duhet ballafaquar me urgjencë», ka thënë për «Kohën Ditore» zëdhënësja e EULEX-it për drejtësi, Kristiina Herodes, për të shtuar se muajt e fundit EULEX-i ka filluar që të riinstalojë një drejtësi funksionale në veri të Mitrovicës, duke rihapur Gjykatën dhe ku ka mbajtur pesë procese gjyqësore. «Qëllimi ynë prioritar tash është që t’i kthejmë gjyqtarët dhe prokurorët serbë dhe ata shqiptarë të Kosovës në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, në mënyrë që drejtësia të vendoset nga një gjyqësor lokal, multietnik dhe i vetëm», ka shtuar ajo. «Në asnjë vend tjetër të Evropës nuk kemi dy sisteme juridike duke operuar në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend, andaj do të ketë vetëm një sistem juridik në Kosovë», ka saktësuar zëdhënësja Herodes. Edhe autoritetet kosovare e kanë cilësuar si të paligjshëm emërimin e gjykatësve dhe të prokurorëve serbë. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, e ka cilësuar vendimin e Serbisë si ndërhyrje të rëndë në punët e brendshme të Kosovës. Ditë më parë në Beograd kanë dhënë betimin gjyqtarët dhe prokurorët të cilët janë emëruar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Serbisë, përfshirë edhe ata në Mitrovicë. Në bazë të Ligjit të Serbisë mbi shpërndarjen territoriale të gjykatave dhe prokurorive, ato në Mitrovicë kanë kompetencë territoriale dhe lëndore për tërë territorin, siç thuhet në këtë ligj, të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë dhe kanë degët e saj në Graçanicë dhe në Ranillug, komuna këto të krijuara së fundmi me procesin e decentralizimit, si dhe në Gorazhdec të Pejës dhe në Shtërpcë. Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Nekibe Kelmendi, është shprehur kategorikisht edhe kundër bisedimeve ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë për ndonjë protokoll të mundshëm për gjyqësorin, i ngjashëm me atë për policinë, i nënshkruar në shtator të vitit të kaluar. Ndërkohë reagimi që ka ardhur nga Presidenca e Kosovës ka qenë më i «rrepti» deri tash. Këshilltarja e presidentit Sejdiu, Vjosa Osmani, ka thënë për «Kohën Ditore» se nuk përjashtohet mundësia e aktivizimit të policisë për të ndaluar funksionimin e gjykatave paralele në komunat me shumicë serbe. Por zëdhënësja e EULEX-it, Kristiina Herodes, nuk e ka komentuar direkt mundësinë e ndërhyrjes së policisë për ndalimin e instalimit të këtyre strukturave, duke lënë të nënkuptohet se mënyra më e mirë janë bisedimet./koha/