Një i ri nga Peja ka mbetur i vrarë, ndërsa tre të tjerë janë plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur të shtunën në mbrëmje vonë, kur një person ka hyrë në një diskotekë në Pejë dhe ka qëlluar mbi të pranishmit në mënyrë të pakontrolluar, me dy revole në dorë.Burime të Policisë në Pejë bëjnë të ditur për Express se viktima është Besart Shabi, 25-vjeçar, nga Peja, kurse të plagosurit e tjerë janë Valdet Kelmendi 25 vjeç nga Peja, Arta Bardhi rreth 20 vjeçe, po ashtu nga Peja dhe një pjesëtar i policisë nga Istogu, i cili nuk ndodhej në detyrë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në diskotekën “City Club” në Pejë, të shtunën rreth orës 23. Pasi ka qëlluar mbi të rinjtë që ishin në atë diskotekë, për motive ende të panjohura, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet ende në arrati. Identiteti i sulmuesit nuk jepet nga policia. Zyrtari për informim i PK-së në Pejë, Zeqir Kelmendi pohoi se me të marrë informatën për të shtëna më armë zjarri se në këtë diskotekë dhe se me këtë rast disa persona janë plagosur, njësitet policore të stacionit policor të Pejës menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes.“Në Spitalin e Pejës janë dërguar katër persona të plagosur për tretman mjekësor. Mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima ka arritur pa shenja jete. I plagosuri tjetër, 25 vjeç është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, për shkak të lëndimeve serioze”, tha Kelmendi. Ai shtoi se dy të lënduarit e tjerë janë me lëndime më të lehta dhe janë ndaluar për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës.Zyrtarët policorë pohojnë se për momentin nuk ka të arrestuar dhe se nuk dihen motivet e këtij rasti, ndërsa për këtë po hetojnë hetuesit rajonalë të krimeve serioze.“Deri më tani nuk dihen motivet e këtij sulmi dhe po ashtu nuk dihet as identiteti i të dyshuarit, i cili është larguar në drejtim të panjohur”, thotë zyrtari për informim, Zeqir Kelmendi. Ndërsa njëri nga dëshmitarët e këtij rasti pohon se i dyshuari, në momentin që kishte hyrë brenda kishte filluar të gjuajë me të dyja revolet që i kishte. Sipas këtij dëshmitari, dyshohet se cak i këtij sulmi agresiv nuk ishte viktima, por një person tjetër që ishte aty në diskotekë. “Kemi qenë shumë persona në atë moment. Të gjithë ishim duke festuar. Pastaj, hyri një person i armatosur dhe ka gjuajtur pa ndonjë kontroll. Plumbat kanë fluturuar mbi të gjithë ne. Është e çuditshme se si kemi shpëtuar. Viktima ka qenë duke festuar me ne. Nuk e besoj që personi që ka gjuajtur ka pasur ndonjë konflikt me Besartin, por me dikë tjetër”, thotë ky dëshmitar në kushte anonimiteti.