Në një konferencë për media të mërkurën, ministri i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni, tha se sot është njoftuar me një notë verbale, e cila është përcjellë nga misioni i përhershëm i Malavit në OKB përmes Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork, se Malavi ka njohur më 14 dhjetor Kosovën si shtet të pavarur.“Natyrisht në notë po ashtu thuhet se në vijim do të vazhdojmë të këmbehen shkresa të tjera zyrtare për të çuar më tej marrëdhëniet të dy palëshe midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malavit. Kjo njohje e ngrit numrin e shteteve që kanë njohur Kosovën në 64 dhe ardhja e kësaj njohje pikërisht në këtë kohë, vetëm tre-katër ditë pas përfundimit të dëgjimeve gojore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është një shenjë e mirë është një ogur i mirë dhe demonstron me të vërtetë atë që vazhdimisht e kemi theksuar se procesi i njohjeve do të vazhdojë”, tha ministri Hyseni.