Tiranë: Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike

Tiranë: Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike

Ndërkohë pritet të zgjidhet edhe Këshilli Kombëtar i Partisë. Në fjalën e tij të rastit, kryeministri Berisha theksoi se sot kjo parti ka me çka të ndihet krenare. «Ulemi sot në këtë Kuvend më krenar se kurrë për këtë forcë politike e cila u themelua 19 vjet më parë nga trimëria dhe kurajoja legjendare e studentëve shqiptarë”, theksoi Berisha. Sipas tij, themele të Partisë Demokratike mbeten liritë dhe të drejtat e njeriut. “Partia Demokratike ato ditë të para të dhjetorit nuk kishte mjete dhe ide, por e kishte pasionin për lirinë. Ne i themeluam dhe mbetemi partia e të drejtave njerëzore. Prandaj edhe sot zotohemi se garantimi i të drejtave dhe lirive tuaja do të mbetet objektivi më madhor i kësaj force politike”, u shpreh kryetari i PD. Ai gjithashtu theksoi se në mandatin qeverisë së PD, Shqipëria mbajti zgjedhje të lira dhe të ndershme, gjë që përbën krenari për këtë parti. Kryeministri shqiptar i ka bërë edhe një herë ftesë opozitës që të bashkëpunojë në reformat e mëdha për qytetarët shqiptarë. “E garantoj opozitën se do ta ketë respektin më të thellë, sikurse që i ofroj frymën e bashkëpunimit për reformat e mëdha”, nënvizoi ai, duke shtuar se “një grusht pinjollësh të bllokut nuk do të mund të nëpërkëmbin opozitën dhe qytetarët shqiptarë”.“Hiqni dorë nga mentaliteti i etërve tuaj, sepse betejën e bëmë në vitin 1990. Sot jemi gati për çdo betejë në mbrojtje të votës së lirë, për hir të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha. Ai tutje i përmendi edhe reformat, luftën ndaj krimit, shkatërrimin e bandave, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, marrjen e statusit të vendit kandidat për BE, rritjen e pensioneve dhe pagave, reformat në arsim, por theksoi edhe rritjen e numrit të studentëve, etj.