Që nga përfundimi i luftës, Prishtina ka përjetuar një bum të vërtetë. Rezultati, shtim i shpejt i popullatës, ndërtimet e egra dhe një ngarkesë e madhe në komunikacion. Kryeqyteti i Kosovës ka rreth 470 mijë banorë. Ata janë të gjithë dëshmitarë të kaosit urbanistik. Në vitet e shkuara janë ndërtuar në Prishtinë dhe rrethinë rreth 170 rrugë, por edhe më tutje kryeqyteti i Kosovës është i zhytur në kaos të komunikacionit. Mungon një Master Plan, ku parashihen vende të gjelbëruara, shkolla, trotuare, ndriçimi publik dhe pastrim i rregullt i rrugëve.Kryetari i vjetër dhe i ri i Prishtinës, Isa Mustafa premton zgjidhje për kaosin urbanistik. Një rrugë qarkore do të jetë zgjidhje, sipas tij. “Ne kemi filluar ndërtimin e saj. Qysh në këtë vit, dëshirojmë të lëshojmë në punë njërën pjesë, ndërsa pjesën tjetër në vitin tjetër, kur do të përfundojnë punimet. Megjithëkëtë, problemi nuk do të zgjidhjet, ngase qyteti i vjetër karakterizohet me rrugë të ngushta”, thotë Mustafa.Xhungël betoni dhe papunësi masiveShkrimtari Ramiz Kelmendi tashmë ka 80 vjet. Qe 60 vjet jeton në Prishtinë. Ai është i shqetësuar për dendësinë e banorëve dhe ndërtimet pa plan. Ai dyshon që diku në botë mund të ketë një qytet që ka një komunikacion kaq të çorientuar. “Sipas mendimit tim, në Prishtinë ka ndërtesa brutale, të çoroditura, të cilat janë ndërtuar pa kurrfarë plani”, shton ai.Sipas tij, Prishtina është një xhungël e vërtetë e komplekseve banesore. Përveç kësaj, ai është i pakënaqur edhe me politikën në Prishtinë. „Kurrë nuk kemi përjetuar një papunësi kaq të lartë, kurrë nuk kemi pasur varfëri më të madhe”, shton ai. Jo vetëm Prishtina, sipas Kelmendit, krejt Kosova vuan nga papunësia e lartë. Por, papunësia nuk është problemi i vetëm i Prishtinës. Asaj i mungojnë mushkëritë e gjelbëruara, lisa etj. Ajri është shumë i ndotur. „Këtu nuk ka asnjë metër gjelbërim. Më parë qyteti ka pasur parqe të gjelbëruara, ka pasur mushkëritë e tij. Sot ato janë shndërruar në vende të mallkimit. Nëse i shikoni, ato nuk përdoren nga askush, vetëm nga qentë dhe macet”, vlerëson Kelmendi. Edhe kryetari i Prishtinës e pranon se pamja e Prishtinës përbëhet nga betoni dhe asfalti.