GJND: Vazhdon argumentimi

Sot vazhdon debati në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës me paraqitjen e argumenteve pro dhe kundër nga ana e Kinës, Qipros, Kroacisë dhe Danimarkës. Kina dhe Qiproja nuk kanë njohur Kosovën dhe, sipas të gjitha gjasave, do të dëshmojnë kundër, ndërsa Kroacia dhe Danimarka që kanë njohur Kosovën, pritet të dëshmojnë në favorin e saj. Në debatin e deritashëm, legalitetin e shpalljes së pavarësisë e kanë mbështetur Shqipëria, Gjermania, Arabia Saudite, Austria dhe Bullgaria. Argjentina, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia dhe Brazili kanë qenë në anën e Serbisë, duke pohuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Përfaqësuesit e Burundit nuk kanë qenë të prerë në qëndrimin e tyre nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare. Ata kanë kërkuar nga GJND-ja që të marrë një qëndrim, sipas të cilit, të drejtën për vetëvendosje do ta kishin ekskluzivisht popujt e vendeve që konsiderohen koloni, por që, sipas tyre, kjo nuk do të ndikonte në rastin e pavarësisë së Kosovës që është një «gjendje faktike». Dita më interesante në Hagë do të jetë e marta, kur qëndrimet e tyre para GJND-së do t’i paraqesin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Spanja dhe Finlanda. Të mërkurën, më 9 dhjetor, do të flasin Franca, Jordania dhe Norvegjia. Më 10 dhjetor para GJND-së dalin Holanda, Rumunia dhe Britania e Madhe, ndërsa GJND-ja mbyll punimet më 11 dhjetor me paraqitjet e Venezuelës dhe Vietnamit. Pasi t’i ketë dëgjuar qëndrimet e të gjitha vendeve të paraqitura, GJND-ja do të miratojë mendimin këshillëdhënës, që nuk ka karakter obligues. Pritet që GJND-ja, e kryesuar nga japonezi Hisashi Ovada, të miratojë mendimin këshillëdhënës pas disa muajve, ndonëse ka mundësi që GJND-ja të heqë dorë nga dhënia e çfarëdo mendimi ose qëndrimi rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Këtë mundësi, para disa javësh, e kishte lënë të hapur edhe kryetari i GJND-së, Hisashi Ovada. /rel/