Berisha: Shqipëria dhe Kosova janë dy vende vëllezër

Berisha: Shqipëria dhe Kosova janë dy vende vëllezër

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka sqaruar qëndrimin e tij rreth bashkimit të shqiptarëve që jetojnë në disa shtete të rajonit. Ai tha se bashkimi i shqiptarëve do të ndodh me integrimin e Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit në Bashkimin Europian dhe struktura euroatlantike. Gjatë vizitës së parë në Kosovën e pavarur, Kryeministri Berisha tha se interesi jetik kombëtar për çdo shqiptar kudo që jeton, është mosndryshimi dhe respektimi i kufijve aktualë ndërkombëtarë të rajonit.“Integrimi i Shqipërisë në BE dhe perspektiva e sigurt dhe integrimi euroatlantik dhe europian i Republikës së Kosovës, pra është bashkimi ynë në Europën e Bashkuar”, ka thënë Berisha, gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës. “Prandaj dhe për Shqipërinë dhe për Kosovën, integrimi europian dhe euroatlantik janë dhe do të mbeten ylli polar që ndriçon rrugën e së ardhmes sonë”, ka theksuar ai.Megjithatë, Kryeministri Berisha tha se në Ballkan eksiton vetëm një komb shqiptar. “Kombi është një dhe i pandarë në shpirtin dhe identitetin e tij. Nuk mund të bëhet fjalë për dy kombe shqiptare, dy kombe serbe apo dy kombe kroate”. Ai u shpreh se Shqipëria dhe Kosova janë dy vende vëllezër. “Ato janë dy vende të ndryshme, por jo, kurrë të huaja për njëra-tjetrën. Ato me një bashkëpunim të gjithanshëm, partneritet vëllazëror, duhet të kapërcejmë pasojat e gjithanshme të ndarjes shekullore, bazuar në proceset dhe standardet më të mira të integrimit europian”.Qëndrim të ngjashëm shprehu edhe Kryeministri Hashim Thaçi. “Shqiptarët jetojnë në shumë shtete, por ne jemi një komb. Raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë raporte vëllazërore”, ka thënë ai. Bashkëpunimi dypalësh Zyrtarë të të dyja vendeve janë përkujdesur që vizita e parë në Republikën e Kosovës e Kryeministrit Berisha të begatohet edhe me nënshkrimin e gjashtë marrëveshjeve dypalëshe.Zyrtarizimi i bashkëpunimit është bërë pas një takimi të Kryeministrin Hashim Thaçi me Berishën, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.Fillimisht dy kryeministrat kanë vënë firmën në Marrëveshjen për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve dhe në Protokollin për qarkullimin në zonat kufitare mes dy vendeve. Pastaj nga ministra dhe zyrtarë të të dy qeverive janë nënshkruar edhe katër dokumente të tjera: Marrëveshja në fushën e doganave; Marrëveshja e bashkëpunimit policor ndërkufitar; Marrëveshja e ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm; si dhe Marrëveshja e bashkëpunimit të administratave lokale.“Këto marrëveshje rregullojnë bashkëpunimin ndërshtetëror në fushat përkatëse, duke vendosur rregullat, të cilat do të respektohen nga shtetet tona. Ne do të vazhdojmë të kemi bashkëpunim shumë të avancuar”, ka thënë Thaçi.“Sot u nënshkruan një seri marrëveshjesh, të cilat synojnë të vendosin në këtë rajon standardet europiane të lëvizjes së lirë të qytetarëve, mallrave dhe problemet e sigurisë”, ka thënë Berisha. Kryeministri shqiptar ka përsëritur zotimin e Tiranës për t’i dhënë Kosovës në shfrytëzim të plotë Portin detar të Shëngjinit.Gjithashtu, Berisha bëri të ditur planet për ndërtimin e një autostrade të re që do të lidhë Shkodrën me rajonin e Dukagjinit në Kosovë. “Brenda katër viteve që vijnë do të përfundojë autostrada Qafë-Morinë – Shkodër, e cila do t’i japë Kosovës perëndimore dalje të shpejtë në det”. Kryeministri shqiptar foli edhe rreth projektit për lidhje hekurudhore mes dy vendeve.Ndërkaq, Kryeministri Thaçi përsëriti se së shpejti do të bëhet inaugurimi i fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës Morinë-Prizren-Prishtinë. Ai ftoi Kryeministrin Berisha të marrë pjesë në këtë ceremoni. Pritje madhështore Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha është pritur në mënyrë madhështore nga institucionet e Kosovës dhe qytetarë të shumtë. Atij i është uruar mirëseardhje me të gjitha nderimet shtetërore. Para ndërtesës së Qeverisë është rreshtuar Garda e Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe një qilim i kuq. Dy kryeministrat kanë nderuar ushtarët duke parakaluar para tyre. Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Kosovë, Kryeministrit Berisha i janë ndarë edhe dy çmime. Presidenti Fatmir Sejdiu e ka dekoruar me Medaljen e Artë të Lirisë, ndërkaq Universiteti i Prishtinës, në një ceremoni solemne, e ka shpallur Doctor Honoris Causa. Lideri më i preferuar politik i Shqipërisë në Kosovë do të nderohet edhe të martën. Ai do të shpallet Qytetar nderi i Prizrenit. Përgatitjet për pritjen e Berishës kanë filluar para disa javësh. Ditëve fundit, me sponsorim nga Zyra e Kryeministrit Thaçi, në Prishtinë janë vendosur posterë me foton e kryeministrit shqiptar në të cilat shkruan: “Mirë se vjen Kryeministër Berisha”. Epitetet Në konferencën e përbashkët për shtyp, dy kryeministrat, Berisha dhe Thaçi, nuk kanë kursyer fjalë të ngrohta për njëri-tjetrin. Kryeministri Thaçi ka deklaruar se ndjehet i privilegjuar dhe emocionalisht i prekur thellë nga ndjenja e respektit për vizitën e mikut të tij, Kryeministrit Berisha. “Sot prita dhe Kosova pret arkitektin e ndryshimeve në Shqipëri, Kryeministrin Sali Berisha, realizuesin e projektit të ëndrrave të qytetarëve, të shqiptarëve, në ndërtimin e autostradës Durrës – Morinë’. Por Thaçi nuk është ndalur me kaq. “Sot, prita edhe jetësuesin e integrimit të Shqipërisë në NATO, kryeministrin Sali Berisha, kontribuuesin e madh për pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.Pas pak minutash, homologu i tij shqiptar, iu përgjigj me tone të ngjashme. “Edhe një herë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë, respektim më të madh dhe admirimin, së pari për rolin dhe kontributin tuaj thelbësor në çlirimin e Kosovës, në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës, në një nga periudhat më historike për Kosovën”, ka thënë Berisha. “Ajo çka më impresionon në sensin më pozitiv është fakti se si luftëtarët e lirisë po ndërtojnë me përkushtimin më të madh vlerat për të cilat ata luftuan dhe kjo është një gjë e veçantë”, ka shtuar ai.Shefi i ekzekutivit shqiptar nuk e harroi as Presidentin Sejdiu.“Ju me dinjitet të madh, me përkushtim dhe mençuri arritët të jepni një kontribut thelbësor në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në konsolidimin e pavarësisë dhe sistemit demokratik të bazuar në vlerat e tregut”. Gjatë fjalimit para deputetëve kosovarë, Kryeministri Berisha e quajti ish-Presidentin Ibrahim Rugova “burrë i madh i Kosovës dhe kombit shqiptar, arkitekt i pavarësisë së Kosovës”.Ai gjithashtu foli për veprën e Komandantit Legjendar të UÇK’së. “Unë dhe çdo shqiptar përulem me nderimin më të madh për Komandantin Legjendar, tribunin e lirisë, Adem Jashari, që me sakrificën e tij të madhe ndezi dritën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka thënë kryeministri Berisha.Të martën ai bëri homazhe para varrit të ish-presidentit Rugova dhe vizitoi familjen e tij në Prishtinë, ndërkaq të mërkurën në mëngjes do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz. Berisha do të vizitojë edhe Familjen Jashari.