Berisha: Prekazi është Kruja e dytë e shqiptarëve

Berisha: Prekazi është Kruja e dytë e shqiptarëve

“U preka shumë, sepse i pamë ata fëmijë, ata u lindën të gjithë pas lufte, ata të gjithë kanë marrë emrat e martirëve të familjes Jashari. Por, sërish shndërrimi i ëndrrës dhe sakrificës në realitet është lehtësimi më i madh për këtë familje, për tribunin legjendar dhe për mbarë shqiptarët. Edhe një herë dua t’i shpreh nderimin tim më të madh familjes Jashari, të përulem para tribunit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë anëtarëve të familjes së tij, që u flijuan për të mos u dorëzuar, për flamurin dhe dinjitetin e Kosovës dhe të shqiptarëve, por shpreh nderimin tim për Prekazin”, tha Berisha. Sipas tij, Prekazi është një fshat me traditat më të kristalta, më të zhvilluara atdhetare dhe patriotike. “Në Prekaz rezistenca e shqiptarëve ndaj pushtuesit nuk u shua kurrë. Ajo kulmoi me veprën e Adem Jasharit, por ajo është e gjallë në çdo kohë. Është frymëzuese dhe udhërrëfyese për të gjithë shqiptarët, është kurora me diamante e sakrificës shqiptare», tha Berisha. Përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari, e ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, për mbështetjen e qeverisë shqiptare para, gjatë dhe pas luftës, derisa i ka uruar anëtarësim sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. «E falënderoj për gjithë punën që ka bërë kryeministri Berisha dhe stafi i tij në Shqipëri, qoftë për ndihmesën e luftës së Kosovës, qoftë për ndihmesën pas lufte, për lobimin në qendrat e vendosjes gjithandej kah janë të vendosura kancelaritë e botës për zhvillimin e Shqipërisë, për futjen e saj në NATO dhe parapërgatitjet për BE. Mendoj se falë sakrificave që janë bërë nga luftëtarë të të gjitha trojeve shqiptare është dhënë mundësi edhe filozofëve të bashkëpunojnë dhe t’i koordinojnë punët e tyre që rrugët e së ardhmes, rrugët e fëmijëve tanë, rrugët e rinisë të jenë më të hapura», u shpreh Jashari. (KosovaLive)